TAGS-AT E JAVËS

Editorial 8 Shkurt 2026, 14:42

Djalli fshihet në detaje

Shkruar nga Gjergj Zefi
Djalli fshihet në detaje
Bordi i Paqes /

Pse pjesëmarrja në samitin për Gazën nuk duhet të kthehet në rreshtim automatik...

Ftesa për Tiranën dhe Prishtinën në një tryezë amerikane mbi rindërtimin e Gazës është, në pamje të parë, një shenjë vlerësimi politik. Por diplomacia serioze nuk funksionon me refleks mirënjohjeje; funksionon me koherencë strategjike. Në një çështje kaq të ndjeshme si Gaza, çdo devijim i vogël nga pozicioni i Bashkimi Europian rrezikon të lexohet si luhatje, jo si pjekuri.

Nisma amerikane për të strukturuar procesin pas-konfliktit mbetet, deri tani, një projekt politik pa konsensus të plotë ndërkombëtar. Skepticizmi europian nuk është anti-amerikanizëm; është kujdes institucional.

BE-ja këmbëngul që rindërtimi të mos paraprijë zgjidhjen politike, që Gaza të mos shndërrohet në laborator administrimesh të përkohshme dhe që OKB-ja të mbetet boshti i legjitimitetit. Kjo është linja ku duhet të qëndrojnë edhe Shqipëria e Kosova.

Rreshtimi pa filtër me Shtetet e Bashkuara do të ishte një gabim i heshtur: i padukshëm sot, por i kushtueshëm nesër në Bruksel. Për Shqipërinë, që synon integrimin, dhe për Kosovën, që kërkon konsolidim të njohjeve, kapitali politik ndërtohet duke qenë të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm me arkitekturën europiane të politikës së jashtme.

Një qëndrim i mençur do të ishte i qartë dhe pa ekuivok: mbështetje për ndihmën humanitare, angazhim për paqen dhe rindërtimin civil, por refuzim i çdo formule që e trajton Gazën si çështje teknike, duke anashkaluar rrënjët politike të konfliktit. Çdo gjë tjetër do të ishte improvizim diplomatik, i maskuar si pragmatizëm.

Në politikën e jashtme, djalli rrallë shfaqet hapur. Ai fshihet në formulime, në heshtje dhe në rreshtime të paanalizuara. Për Tiranën dhe Prishtinën, samiti për Gazën nuk është provë besnikërie ndaj Uashingtonit, por test pjekurie politike në raport me Europën. Dhe këto teste, zakonisht, nuk falin./Pamfleti

djalli fshihet në detaje bordi i paqes gjergj zefi

Lini një Përgjigje