Do të përballeshim me kënaqësi Klod, por jep një herë llogari ti para drejtësisë, pastaj ulemi e flasim...
Di gjë njeri ku e pi kafen njeriu me emrin Klodian Zoto? Ose ku e blen bukën?
Klodiani, ai i inceneratorëve, biznesmeni i shpallur në kërkim nga shteti shqiptar për vjedhjen e miliardave të djegësve dhe i lidhjeve të dyshimta me Ndrageta’n.
Di gjë njeri ku bëhet ky?
Na duhet Klodiani, sepse në dijeninë tonë, ai është i shpallur në kërkim dhe ka shumë gjynahe...
Drejtësia e do ta vërë në bankën e të akuzuarve, pavarësisht se shteti shqiptar, në kuadër të absurdit ‘Made in Albania’ vazhdon ti japë para Klodianit dhe të vetëve. Por kjo është tjetër histori.
E pra ndërkohë që vetë është strukur dhe është marrë në mbrojtje nga mafia të cilës i ka shërbyer, Klodiani na ka sjelle një kërkesë për gjyq. Përsëri me firmë të gjyqtatres Blerina Muça, me datë 27 Qershor ne duhet të paraqitemi në gjyq për të dëgjuar Klodian Zoton se si ankohet për denoncimet e bëra nga “Pamfleti”, për paratë që ka vjedhur dhe vazhdon t’ia rrjepë arkës së shtetit, e nëse gjyqtarja e vlerëson të drejtë duhet të përgjigjemi për dëmin që i kemi bërë Klodianit.
Hajde merre vesh këtë punë! Klodiani në kërkim po mundohet të na kërkojë llogari sepse kemi thënë të vërtetën.
Hajde Shqipëri që qofsha falë, për kriminelët që u ke dhënë pushtetin.
Tani meqë ky është një rast i përsëritur ne po i kthejmë përgjigje Klodianit.
Klodian, do të përballemi me shumë kënaqësi me ty, në gjykatë ose mediume publike. Ku të duash ti! Por ti je zhdukur nga faqja e dheut o Klod! Askush nuk e di ky fshihesh. Të paktën ata që duhet ta dinin, nuk e dinë. Ti je individ i shpallur në kërkim nga drejtësia. Prandaj si do të përballemi ne?
Përveç kësaj o Klod. Ti hajde një herë e vendosi në dispozicion të drejtësisë. Përgjigju për krimet që ke bërë, për milionat që ke vjedhur në bashkëpunim me ata që kanë pushtetin, që kanë edhe gurin, edhe arrën në dorë. Hajde përgjigju për lidhjet me kompanitë offshore dhe ato të dyshimta për lidhjet me Ndrageta’n dhe që janë ortakët e tu. Hajde rrëfeu një herë para drejtësisë, si dole nga llumi dhe u bëre miliarder. Si i more miliardat dhe nuk i përdore kurrë për punët në shërbim të qytetarëve të Tiranës, Elbasanit e Fierit.
Dil nga strofka ku je futur dhe përgjigju me kë i ke lidhjet dhe pse.
Pasi ti bësh këto ne të premtojmë që jo vetëm do të përballemi, por edhe do të japim një dorë që të vërtetat e tua të pista të dalin sheshit.
Sepse kështu rrotullohet Bota o Klod, jo ashtu si thua ti. Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi luftëtarë të fjalës së lirë dhe të vërtetës dhe këto fletushkat e tua nuk pinë ujë.
Ne kemi thënë se megjithëse në arrati, ti dhe Mirel Mërtiri përfitoni 98% të energjisë që prodhon landfilldi i Elbasanit deri më 2041. Kemi thënë që ti dhe Stela Gugallja, paguheni edhe pse jeni nën hetim. Kemi shkruar për historikun e pasur që ke në lidhje me përfitimet nga fondet publike dhe të tjera afera që tanimë janë nën hetim dhe për të cilat ti je në kërkim.
Nëse këto të kanë fyer Klod, po të themi se kot e ke që bën presione të këtij lloji. Ne jemi më të vërtetën dhe do të vazhdojmë ti themi të vërtetat e sojit tënd deri në fund pavarësisht fletushkave që na dërgon./Pamfleti

Lini një Përgjigje