
Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Roger Wicker kanë futur draftin në punimet e Senatit, në kuadër dhe të raportimit që bënë dje Gabriel Escobar dhe Derek Chollet...
Ridel në skenë Akti Amerikan për luftën kundër korrupsionit në Ballkan. Në gusht të vitit 2022 u prezantua me shumë bujë një nismë e marrë nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale dhe senatori republikan, Roger Wicker, e cila synon të luftojë korrupsionin në Ballkanin Perëndimor. Nisma u la në harresë, por para seancës dëgjimore që ndodhi dje në Senat, drafti ka ridalë në skenë.
Senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Roger Wicker kanë futur draftin në punimet e Senatit, në kuadër dhe të raportimit që bënë dje, Gabriel Escobar dhe Derek Chollet. Këta të fundit folën për situatën në rajon dhe senatorët kanë ndërmarrë një tjetër angazhim që Akti për korrupsionin të gjejë gjuhën e miratimit. Drafti ka marrë mbështetje dhe nga senatorët Cardin, Durbin dhe Van Hollen.
Sipas një njoftimi të bërë nga vetë senatorja Shaheen dhe të siguruar nga “Pamfleti”, projektligji do të mbështesë stabilitetin demokratik dhe zhvillimin ekonomik në rajon përmes iniciativave për infrastrukturën, tregtinë dhe luftën antikorrupsion, duke përfshirë vendosjen sanksioneve ndaj të korruptuarve me qëllim që të bllokohen aktet detsbilizuese të tyre.
“Ruajtja e paqes dhe forcimi i demokracisë në Ballkan është kritike për sigurinë dhe stabilitetin evropian, pasi lufta e paprovokuar e Putinit në Ukrainë po vazhdon. Legjislacioni im dypartiak do të forcojë tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, do të çrrënjosë korrupsionin, do të kodifikojë sanksionet kundër aktorëve destabilizues dhe do të dërgojë një sinjal të fortë dypartiak se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partnerëve tanë në rajon. Vitin e kaluar vizitova Ballkanin Perëndimor dhe takova njerëz të panumërt, të angazhuar për ndërtimin e një shteti të fortë demokratik për brezat e ardhshëm. Së bashku, ne mund të punojmë për të forcuar institucionet demokratike dhe për të ndërtuar një rajon më paqësor dhe më të qendrueshëm për të luftuar ndikimin keqdashës të Putinit”, tha senatori Shaheen, raporton “Pamfleti”.
Në të njëjtën linjë ishte dhe senatori Wicker: "Ballkani është shtëpia e një trashëgimie kulturore të larmishme e të gjallë dhe rëndësia e tyre gjeopolitike vazhdon të rritet. Pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia nënvizon rëndësinë e partneriteteve tona ballkanike. Miratimi i këtij projekt-ligji do të shërbente si një deklaratë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të forcuar partneritetet tona diplomatike në rajon”.
“Ky projekt-ligj i rëndësishëm dhe dypartiak, që bën thirrje për një qasje strategjike ndaj politikës së SHBA-së, ndaj rajonit ende të paqendrueshëm, do të na çojë në drejtimin e duhur. Legjislacioni ynë do të çojë përpara stabilitetin rajonal dhe përpjekjet kundër korrupsionit, duke krijuar programe që inkurajojnë zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës, strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe do të vërë para përgjegjësisë ata që kërcënojnë paqen në Ballkanin Perëndimor. Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim partnerët dhe aleatët tanë demokratikë”, tha senatori Cardin.
Në mënyrë të veçantë, Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor:
1. Krijon një iniciativë rajonale që nxit konkurrencën tregtare dhe ekonomike;
2. Krijon një nismë kundër korrupsionit që detyron Sekretarin e Shtetit të ofrojë asistencë teknike për çdo vend në Ballkanin Perëndimor, për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit.
3. Kodifikon dy urdhra ekzekutivë të SHBA-së për të vendosur sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por edhe për ata janë të përfshirë në afera korruptive.
4. Nxit partneritetet universitare dhe iniciativat rinore, inkurajon angazhimin e Korpusit të Paqes në rajon;
5. Njeh rolin kryesor të sigurisë kibernetike në mbrojtjen e infrastrukturës kritike kundër aktiviteteve malinje nga kundërshtarët, përfshirë Rusinë dhe Iranin. /Pamfleti
Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Lini një Përgjigje