Ministri i Ekonomisë bëhet pronar i çdo pasurie shtetërore, nuk shpëtojnë as qentë e policisë...
Tahmaja e Blendi Gonxhes nuk njeh kufij. Ministri që synon të kontrollojë çdo llokmë të ekonomisë dhe çdo euro të pasurive shtetërore, ka kaluar çdo fantazi të mundshme: ka marrë në dorë ankandet për qentë e Policisë së Shtetit, duke i kthyer edhe këta kafshë të besueshme në pjesë të një operacioni të madh të grykësisë shtetërore.
Instituti i Përgatitjes së Qenëve, që formalish ishte në dorë të krye-policit Ilir Proda, ka transformuar statusin e tij: qentë tani janë në vartësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit. Pra, çdo bisht që lëviz, çdo njujsh që kërcet, kalon përmes duarve të Blendi Gonxhes. Kjo konfirmohet nga Njoftimi Nr. 10342, datë 5 gusht 2025, ku shpallet ankand për pesë qen të Policisë.
Dokumentet dorëzohen në Zyrën e Protokollit dhe pastaj shkojnë tek komisioni i ankandit – një labirint formal që tregon qartë se “ujku” Blendi synon të gëlltisë gjithçka që i del përpara.
Babloku i ka dhënë ministër super-ministri trefishtë: Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, ku zhvillohen 70% e tenderëve shtetërorë, dhe administrimin e 100% të pasurive shtetërore.
Ministria e tij kontrollon gjithçka:
· Entin Kombëtar të Banesave dhe fondet e strehimit social;
· Fondet për rehabilitimin e banesave të familjeve në nevojë;
· Kreditimin e bizneseve të reja;
· Tokat për investitorët strategjikë;
· Ankandet për resortet në zonat e mbrojtura;
· Kontratat “1 Euro”, koncesionet e kalave dhe Paketën e Maleve.
Në vartësi të tij janë edhe:
· Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
· Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
· Agjencia Kombëtare e Punësimit;
· Qendra Kombëtare e Biznesit, me të dhënat personale dhe ekonomike-financiare të çdo kompanie shqiptare.
Duket se për Gonxhjen, kjo nuk mjafton. I pangopur nga fondet, pronat, tenderët dhe kontratat strategjike, ai ka vendosur të marrë edhe ankandet e qenëve të policisë. Çdo bisht, çdo oreks, çdo hap i këtij pushteti shndërrohet në një tregti të pandalshme.
Në fund të ditës, Tirana nuk ka vetëm qentë e saj; ka edhe një ministër që i gëlltit qentë dhe çdo euro shtetërore, duke treguar se lakmia dhe ambicia mund të kenë fytyrën e një ujku që nuk njeh as ligj, as moral, vetëm apetitet e veta./Pamfleti
Lini një Përgjigje