TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë11 Mars 2026, 22:17

Pse u tërhoq Rama? Si Porto Romano ka gllabëruar miliona ende pa nisur, frika e SPAK dhe loja me rusë

Shkruar nga Pamfleti
Pse u tërhoq Rama? Si Porto Romano ka gllabëruar miliona ende pa
Afera e Ramës me Porto Romanon

Tenderi për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar pasi kompania e vetme në garë nuk paraqiti ofertën financiare. Ndërkohë që projekti prej rreth 400 milionë eurosh mbetet në letër, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar tashmë rreth 13.8 milionë euro vetëm për projektimin, ndërsa një kontratë konsulence është dhënë pa garë dhe pa transparencë për vlerën financiare...

Pas debateve dhe akuzave, Edi Rama bëri një lëvizje surprizë sot, duke anuluar tenderin për Porto Romanon. Por teksa SPAK ka nisur hetimet dhe ndërkombëtarët kanë shfaqur shumë kritika, justifikimi i qeverisë ka qenë se kanë hyrë në lojë interesa të huaja. Madje në publik u hodh dhe teza ruse.

Kemi tërheqje të ofertuesit për shkaqe ekonomike sepse ka një rritje të kostos. Komisioni do vijojë me procedurat por dua të rikujtoj faktin që kryeministri u shpreh për këtë projekt që tha se ka aktorë të cilët po përpiqen ta frenojnë këtë projekt”, tha sot ministri i Transporteve.

Por kjo tezë është maskë, pasi qeveria është tërhequr së pari për shkak të presionit të SHBA dhe Gjermanisë. Të dyja këto shtete ishin të pakënaqura me projektin dhe ka pasur shumë përplasje.

Elementi i dytë është SPAK. Prokuroria ka sekuestruar dokumentet e tenderit dhe në fakt, porti që ekziston vetëm në letër ka gllabëruar miliona. Ndoshta Babloku e kuptoi se ai tender do i hapte shumë telshe me drejtësinë dhe u tërhoq. 

Kronologjia

Procedura për ndërtimin e portit, me vlerë rreth 400 milionë euro, u anulua pasi kompania e vetme që kishte mbetur në garë, Archirodon Construction, nuk paraqiti ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar. Ky është dështimi i dytë i tenderit për këtë projekt, pasi edhe gara e parë e shpallur në vitin 2024 u anulua për shkak se nuk u paraqit asnjë ofertë.

Megjithatë, ndërsa ndërtimi i portit mbetet ende në letër, procesi ka gjeneruar tashmë shpenzime të konsiderueshme nga buxheti i shtetit.

Hapi i parë financiar për këtë projekt u hodh që në shtator të vitit 2022, kur qeveria shpalli tenderin për hartimin e projektit të detajuar teknik të portit të ri tregtar në Porto Romano. Sipas të dhënave nga “Open Data Albania”, Fondi limit për këtë procedurë ishte 1.36 miliard lekë, rreth 13.8 milionë euro, dhe financimi u mbulua nga fondet e vetë institucionit. Gjatë procesit të prokurimit morën pjesë 14 operatorë ekonomikë, por në fund 9 prej tyre u skualifikuan dhe fitues u shpall një bashkim kompanish ndërkombëtare dhe vendase, të kryesuara nga HaskoningDHV Nederland B.V.

Tenderi për projektimin u shoqërua edhe me një rritje të fondit fillestar me rreth 20 për qind, sipas një vendimi të publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike të vitit 2022, ndërsa procedura u shënua me “flamur të kuq” për risk në konkurrencë.

Por projektimi nuk është i vetmi shpenzim për një projekt që tashmë ka regjistruar dy tendera të dështuar për ndërtimin.

Në qershor të vitit 2024, qeveria miratoi një vendim që autorizonte Autoritetin Portual të Durrësit të negocionte drejtpërdrejt një kontratë konsulence me kompaninë ndërkombëtare Royal Haskoning DHV. Kjo marrëveshje kishte për qëllim të asistonte institucionet shqiptare në procesin e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri në Porto Romano.

Megjithatë, ndryshe nga tenderi i projektimit, për këtë kontratë konsulence nuk është bërë publike vlera financiare, ndërsa nuk dihet nëse marrëveshja parashikon përgjegjësi për konsulentin në rast se procedurat e tenderimit dështojnë.

Në të njëjtën kohë, tenderi për ndërtimin e portit, me fond limit 39.3 miliard lekë, është shpallur dy herë dhe është anuluar dy herë. Procedura e fundit u rishpall në dhjetor të vitit 2024 dhe zgjati rreth 15 muaj. Në garë morën pjesë disa nga kompanitë më të mëdha ndërkombëtare të ndërtimit të porteve, por pas fazës së parakualifikimit mbetën vetëm dy kompani, ndërsa në fund vetëm një ofertues vijoi në procedurë.

Pas tërheqjes së këtij operatori dhe mungesës së ofertës financiare, tenderi u anulua për herë të dytë.

Në këtë pikë, projekti për portin e ri të Durrësit në Porto Romano ndodhet në një situatë të paqartë. Edhe pse konsiderohet një projekt strategjik për zhvillimin ekonomik dhe për korridorin VIII, deri tani ai ka prodhuar më shumë procedura të dështuara dhe shpenzime paraprake sesa punime konkrete në terren. /Pamfleti

 

rama porto romano

Lini një Përgjigje