
Dy shtetas izraelitë në hetim për ofrimin e infrastrukturës teknologjike për më shumë se 30 faqe mashtruese investimesh; njëri u arrestua në Qipro, tjetri në Shqipëri…
Gjermania thellon hetimet ndaj skemave mashtruese përmes call center-ave, ndërsa në shënjestrën e autoriteteve gjermane përfshihet edhe Shqipëria. Hetimet e nisura 6 vite më parë, vijojnë ende, dhe pritet të thellohen më tej, ndërsa pritet ekstradimi i dy shtetasve që janë arrestuar në Shqipëri.
Pas hetimeve që kanë zgjatur për vite me radhë, hetuesit në Bavari kanë zbuluar një rrjet të dyshuar që ofronte shërbime për mashtrues të investimeve financiare. Bëhet fjalë për funksionimin e një sistemi me qira, të aksesueshëm në mbarë botën, që përfshinte infrastrukturë telefonike dhe kompjuterike, njoftoi policia në Nuremberg të martën.
Dy drejtues të dyshuar të një kompanie IT, shtetas izraelitë të moshës 42 dhe 46 vjeç, ndodhen në paraburgim. Kundër 46-vjeçarit është ngritur tashmë aktakuzë në fund të vitit të kaluar.
Sipas policisë, ai u arrestua në Qipro dhe u ekstradua rreth një vit më parë. Hetimet komplekse ndaj rrjetit kanë nisur rreth 6 vjet më parë dhe ende nuk kanë përfunduar. Autoritetet bëjnë të ditur se ka edhe persona të tjerë të dyshuar. Hetimet pritet të zgjasin “edhe për një kohë të gjatë”. Në këtë proces është përfshirë në mënyrë të rëndësishme edhe Zyra Qendrore e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg, e specializuar për krimin kibernetik.
Sipas akuzës së ngritur së fundmi në dhomën për krime kibernetike të Gjykatës së Landit, 46-vjeçari dyshohet se ka punuar së bashku me të dyshuarin më të ri, i arrestuar në Shqipëri, për një kompani që, kundrejt pagesës, furnizonte më shumë se 30 faqe mashtruese në internet me programet e nevojshme, si dhe me infrastrukturë serverësh dhe telefoni, shkruan media gjermane.
Rrjeti thuhet se operonte nga Izraeli dhe Ukraina.
Gjurmët e para për këta ofrues të shërbimeve kriminale dolën në vitet 2019–2020, pas sekuestrimit të serverëve të një call center-i mashtrues në Ukrainë. Një komision hetimor pranë policisë në Nuremberg më pas bashkoi të dhënat nga më shumë se 350 procedime kundër mashtruesve të investimeve, të cilët i bindnin viktimat përmes internetit dhe telefonit të investonin me premtimin e fitimeve nga tregtimi i letrave me vlerë ose kriptomonedhave.
Vetëm dëmi i njohur ndaj viktimave në Gjermani arrin në 34 milionë euro. Sipas autoriteteve, dëmi që i atribuohet të pandehurit tashmë të akuzuar arrin rreth 28,6 milionë euro dhe prek 235 viktima.
Ai dyshohet se ka përfituar personalisht më shumë se 1,1 milion euro.
Ndërkohë, i dyshuari tjetër 42-vjeçar ndodhet ende në Shqipëri. Procedura për ekstradimin e tij nuk ka përfunduar ende.
Në janar, Prokuroria e Përgjithshme e Bambergut, Zyra Qendrore për Krimin Kibernetik të Bavarisë, ka ngritur aktakuzë kundër një personi të dyshuar si kreu i një rrjeti mashtrimi që vepronte ndërkombëtarisht, i njohur si “Milton Group”. Vetëm në hapësirën gjermanofolëse, mbi 1000 persona thuhet se kanë rënë viktimë e “Milton Group”. Meqenëse mes viktimave ka edhe persona nga Oberfranken, Inspektorati i Policisë Kriminale në Oberfranken është i përfshirë intensivisht në hetimet që po zgjasin prej vitesh, siç deklaroi Thomas Goger, Kryeprokuror në Prokurorinë e Përgjithshme të Bambergut.
Në mashtrimet me cyber-trading, autorët u paraqisnin viktimave platforma digjitale të rreme për tregtimin e instrumenteve të ndryshme financiare. “Kapitali i investuar zakonisht humbiste plotësisht”.
Mikheil B. thuhet se nga fundi i vitit 2014 deri në maj 2019 ka drejtuar një call-center në Tiranë (Shqipëri) me rreth 600 punonjës. “Ky call-center ka shpërndarë të paktën 28 platforma dhe ka dëmtuar rreth 180 persona nga Gjermania, Austria dhe Zvicra, me një dëm total prej rreth tetë milionë eurosh”, njofton autoriteti gjyqësor.
Dëmi real mendohet të jetë shumë herë më i lartë. Dokumentet e kontabilitetit të sekuestruara tregojnë se vetëm për periudhën janar 2018 – maj 2019, dëmi në Gjermani arrin në rreth dhjetë milionë euro, ndërsa në nivel botëror rreth 50 milionë euro.
Gjithashtu, në vitet 2017 dhe 2018, specialistë IT me porosi të të akuzuarit kanë zhvilluar një program për cyber-trading mashtrues me emrin “PumaTS”.
Në bazë të këtij programi, klientët kanë operuar rreth 400 platforma mashtruese.
I akuzuari dyshohet se ka kontribuar kështu që 540 persona nga hapësira gjermanofolëse të humbnin rreth 44 milionë euro. Edhe këtu, dëmi i fshehtë mendohet të jetë dukshëm më i madh. Vetëm për periudhën shkurt 2019 – dhjetor 2020, bazuar në dokumentet e kontabilitetit, llogaritet një dëm total prej të paktën 130 milionë eurosh.
Në total, Zyra Qendrore për Krimin Kibernetik ia atribuon të akuzuarit një dëm të provuar nga kallëzime penale prej rreth 52 milionë eurosh dhe një dëm të fshehtë prej rreth 180 milionë eurosh. Vetë B. thuhet se ka përfituar rreth 29 milionë euro. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje