''Sikur i ka harruar ato netë të gjata duke pirë Romanee Conti bashkë, sikur i ka harruar të gjitha punët që Agasi kreu për të. Rama u zgjua nga gjumi dhe u kujtua befas se është lider global, se është ai që flet para parlamenteve evropiane dhe merr çmime ndërkombëtare, se nuk i ka hije të merret më me “djem të këqinj” si Agasi, se ato ishin punë të së shkuarës që tani duhen harruar, duhen fshirë, duhen zhdukur nga kujtesa..."
“Operacioni Fshesa” po merr të gjithë drejtorët e Policisë së Shtetit pa përjashtim, nga ata të Krimit Ekonomik tek ata të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nga drejtoritë e Standardeve Profesionale tek ato të Policisë Kufitare, nga sektorët e inteligjencës policore tek ata të hetimit të krimeve kibernetike, dhe ky spastrim i brendshëm që nisi fillimisht si një lëvizje për të pastruar njerëzit e Ilir Prodës, tashmë ka marrë përmasa të tilla që po bën të lëkundet çdo karrige që dikur mbahej nga njerëzit e besuar të Ergys Agasit, atij që mediat e quajtën “njeriu hije” i administratës dhe koordinator i grupeve kriminale në Shqipëri.
Edi Rama shkarkoi nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodën, atë që prej kohësh njihej si njeriu i vendosur aty nga Agasi për të kontrolluar të gjithë territorin e republikës së Shqipërisë, dhe e bëri këtë pa njoftime paraprake, pa bujë të madhe, thjesht me një firmë që e ktheu Prodën nga i paprekshëm në ish-drejtor brenda pak minutash, ndërsa në vend të tij u vu Sokol Bizhga, zëvendësi që priste radhën.
Ilir Proda dhe i gjithë zinxhiri poshtë tij komandohej nga 'koordinatori', ku përmes zarëve të tij në Policinë e Shtetit; kishte në dorë një rrjet të fuqishëm ekonomik, ku kalonin paratë e basteve ilegale, call center-ave mashtrues, trafiqet etj.
Menjëher pas Prodës, drejtuesi i komanduar Sokol Bizhga pezulloi nga detyra Ulian Shpatarakun, asistent në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit, dhe nuk e bëri këtë thjesht sepse Shpataraku nuk paraqitej rregullisht në punë siç u tha zyrtarisht, por sepse Shpataraku ishte krahu i djathtë i Ilir Prodës, njeriu që Proda kishte sjellë pas vete, njeriu i besuar që kishte marrë përsipër të mbante gjallë rrjetin e kontrollit brenda policisë, dhe të koordinonte të gjithë operacionin mafioz.
“Operacioni Fshesa” synon të fshijë çdo gjurmë të njerëzve të Ilir Prodës, të zbythet çdo zyrtar që kishte lidhje me të, të zhduken nga strukturat e policisë të gjithë ata që Agasi kishte vendosur aty gjatë viteve të kontrollit të tij mbi administratën, nga drejtorët e Krimit Ekonomik tek ata të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nga drejtoritë e Standardeve Profesionale tek ato të Policisë Kufitare, nga shefat e sektorëve të inteligjencës policore tek ata të hetimit të krimeve kibernetike, nga nëpunësit që mbanin gjallë atë rrjet të tërë korrupsioni dhe ndërhyrjesh. Të gjithë pa përjashtim po largohen.
Në IKMT ndodhi diçka tjetër që tregon të njëjtën prirje, megjithëse rruga ishte ndryshe
Klesti Çela, drejtori i Inspektimit të Mjedisit në IKMT dhe kunati i Ergys Agasit, dhunoi në zyrë kolegun e tij Fatmir Meta, drejtorin e Ekzekutimit të Vendimeve, dhe bashkë me të ishin edhe tre persona të tjerë, një sherr i zakonshëm mes zyrtarësh mund të mendonte dikush, por jo kur bëhet fjalë për kunatin e Agasit dhe për një institucion ku prej kohësh thuhej se njerëzit e tij rrinin rehat, duke bërë çfarë të donin pa pyetur askënd, duke kontrolluar inspektimet dhe duke vendosur kush fitonte dhe kush humbiste.
Pas incidentit, kreu i IKMT Afrim Qëndro shkarkoi Klesti Çelën, kunatin e Ergys Agasit, shkarkoi edhe këshilltarin Ervin Bixha, i njohur ndryshe si “truri” i aksionit të paligjshëm të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, atë që më herët kishte shërbyer si inspektor në jug të vendit dhe që dyshohej se ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme, dhe pezulloi Fatmir Metën, duke larguar të tre nga detyrat e tyre, pra edhe në IKMT njerëzit e Agasit po largohen, disa për shkak të dhunës që ata vetë shkaktuan, disa thjesht sepse era ndryshoi dhe tani kushdo që ka emrin e lidhur me atë që dikur ishte i paprekshëm sot gjendet në rrugë të daljes.
Ervin Bixha nuk ishte thjesht një këshilltar i zakonshëm, por pjesë e një rrjeti më të gjerë që përfshinte edhe vëllain e tij, Elgert Bixhën, të dy tashmë nën hetim nga SPAK, të dy të dyshuar se përfaqësonin interesat e Ergys Agasit dhe grupit të tij në disa biznese strategjike, nga tenderët e AKSHI-t te vendburimet e naftës në Patos, nga projektet kontroverse si “Manastiri Resort” në Gjirin e Manastirit te administrimi i mbetjeve të rrezikshme përmes kompanisë “ECOCLEAN”, aty ku Elgert Bixha zotëron 50% të aksioneve dhe është ortak me Idajet Ismailajn, të njëjtin që po ndërton kompleksin turistik në Gjirin e Manastirit, të njëjtin që ka përfituar nga klientelizmi dhe ndërhyrjet e pushtetit.
Sot, Elgert e Ervin Bixha janë nën hetim, por rrjeti i tyre vazhdon të ekzistojë, kompanitë e tyre vazhdojnë të operojnë, vendburimet e naftës vazhdojnë të shfrytëzohen, dhe mbetjet e rrezikshme vazhdojnë të administrohen nga të njëjtët persona që dikur mbronin interesat e Agasit dhe që sot, megjithëse të hetuar, ende nuk janë prekur.
“Tre vite mbret, gjithë jetën peng” thotë një shprehje e vjetër që vlen për çdo njeri që mendon se pushteti që ka në dorë është i tij, se do të qëndrojë përgjithmonë aty lart pa rënë kurrë.
Ergys Agasi ishte mbret i administratës shqiptare për disa vite, ai vendoste kush emërohej dhe kush pushohej, ai kontrollonte tenderat dhe policinë, ai kishte njerëzit e tij kudo dhe askush nuk guxonte t'i dilte përpara, por sot është peng i arratisë, peng i dosjeve që rëndohen çdo ditë e më shumë, peng i atij që dikur i mbante krahët dhe që sot po shkarkon një nga një njerëzit e tij për të shpëtuar veten.
Sepse kështu ndodh me njerëzit si ai: sot të shkarkojnë, nesër të harrojnë emrin, pasnesër të fshijnë nga memoria sikur nuk ke ekzistuar kurrë.
“Operacioni Fshahesa” vijon, duke marrë një nga një të gjithë besnikët e tij, duke fshirë gjurmët, duke pastruar emrat, duke bërë vend për të tjerë që do të vijnë, derisa të vijë radha e tyre të fshihen.
Dhe ja ku jemi sot, kur i njëjti kryeministër që për vite me radhë e pati pranë Ergys Agasin si hijen e tij të pandarë, si dorën që zgjidhte problemet që nuk zgjidheshin dot zyrtarisht, si atë që merrte përsipër punët e pista që askush tjetër nuk guxonte t'i prekte, sot po shkarkon me furi njerëzit e tij, po pastron Policinë e Shtetit nga të gjithë ata që Agasi kishte vendosur aty, duke bërë sikur nuk njeh më atë që dikur ishte njeriu i tij më besnik.
Sikur i ka harruar ato netë të gjata duke pirë Romanee Conti bashkë, sikur i ka harruar të gjitha punët që Agasi kreu për të, nga kontrolli i tenderave te rrëmbimi i atyre që guxonin të ankoheshin, nga futja e njerëzve të vet në çdo cep të administratës te mbajtja nën kontroll e gjithçkaje që lëvizte në këtë shtet.
Sepse tani, siç duket, Rama u zgjua nga gjumi dhe u kujtua befas se është lider global, se është ai që flet para parlamenteve evropiane dhe merr çmime ndërkombëtare, se nuk i ka hije të merret më me “djem të këqinj” si Agasi, se ato ishin punë të së shkuarës që tani duhen harruar, duhen fshirë, duhen zhdukur nga kujtesa sikur nuk kanë ndodhur kurrë, ndërsa Agasi, i varur në arrati, pret të shohë se sa larg do ta çojë kjo “Fshesa” e madhe... /Pamfleti
Lini një Përgjigje