TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë13 Maj 2025, 11:16

Mandati i katërt i një Sulltani në panik

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Mandati i katërt i një Sulltani në panik
Edi Rama /

 

Këto zgjedhje nuk i fitoi Rama, por frika kolektive nga rikthimi i Sali Berishës...

Fitorja e Edi Ramës nuk është as triumf moral, as garë e ndershme. Është një konfirmim i pushtetit të parasë, drogës dhe frikës, në një vend ku zgjedhjet certifikojnë jo demokracinë, por kriminalizimin e tij.

Edi Rama i katërt nuk është më as i freskët, as i pathyeshëm. Është thjesht më i forti në një terren të shkatërruar, ku çdo kundërshtar dhe çdo institucion është nën kontroll ose i zhytur në ‘baltën e pazarit’.

Shteti është bunker, opozita është karikaturë

Në mandatin e tij të katërt, Rama nuk është i qetë. Sepse qetësia kërkon legjitimitet, ndërsa ai e ka ndërtuar fitoren mbi një opozitë të inkriminuar.
Çdo pjesë e këtij sistemi është e mbyllur si bunker me frikë nga e ardhmja.

Rama e mban inatin me Brukselin dhe Uashingtonin, sepse e di që pa sinjale nga SHBA, askush në Shqipëri nuk ka guxim ta rrëzojë.
As SPAK-u, Askush!

Fitorja erdhi nga frika, jo nga dashuria

Këto zgjedhje nuk i fitoi Rama, por frika kolektive nga rikthimi i Sali Berishës. Dhe kjo është humbja më e madhe për opozitën: të mos jesh në gjendje të jesh alternativë, edhe kur pushteti ka shndërruar Shqipërinë në kopsht krimi.

Nëse OSBE/ODIHR dhe SHBA do të mbyllin sytë edhe kësaj here, atëherë sistemi do të saldohet përfundimisht. Një regjim i mbështetur në bashkëpunimin e mafies, korrupsionit ndërkombëtar dhe propagandës.

Dosjet që mund të çmontojnë gjithçka

Fati i Edi Ramës së 4-t nuk është i mbyllur. Sepse një urdhër ekzekutiv nga Presidenti Donald Trump, që kërkon të ruhet çdo dokument për ndjekje politike nga administrata e mëparshme, mund të rihapë skandalin e lidhjes së tij me Charles McGonigal, ish-shefin e kundërzbulimit të FBI-së në New York, që Rama e korruptoi për përfitime politike.

Nëse këto dosje hapen, Rama do jetë i pari që do të ekspozohet, si simbol i ndikimit të huaj mbi drejtësinë amerikane dhe manipulimit të sistemit të sigurisë për interesa personale.

Ujqër që ndajnë të njëjtën pre prej 34 vitesh

Në këtë teatër grotesk që e quajmë politika shqiptare, qeveria dhe opozita janë dy anët e së njëjtës monedhë të ndryshkur. Në krim janë bashkë. Në propagandë luftojnë njëri-tjetrin. Në pazare janë njësh.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka mbetur peng i katër klaneve mafioze, që sundojnë politikën dhe ekonominë përmes zgjedhjeve të falsifikuara dhe institucioneve të kapura.

Sot, e vetmja shpresë nuk është më vota, por reagimi i Amerikës. Sepse pa një sinjal të qartë nga Uashingtoni, edhe SPAK-u mbetet dekor, edhe opozita karikaturë, edhe drejtësia peng i një Sulltani që kërkon të hyjë në histori me force.../Pamfleti

mandati i katërt sulltani në panik

Lini një Përgjigje