TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë11 Nëntor 2025, 11:57

Kryeprokurori i Fierit, me diplomë të dyshimtë dhe 7 kallëzime penale; si e mbrojti sistemi Elion Mustafajn

Shkruar nga Pamfleti
Kryeprokurori i Fierit, me diplomë të dyshimtë dhe 7
Elion Mustafaj /

Dokumentet e siguruara nga “Pamfleti” zbulojnë mospërputhje flagrante në arsimimin dhe karrierën e Elion Mustafajt, i cili punonte me kohë të plotë në Prokurorinë e Durrësit ndërsa studionte “me kohë të plotë” në Universitetin e Tiranës. Megjithë denoncimet dhe 7 kallëzimet penale, ai u emërua drejtues i Prokurorisë së Fierit në qershor 2023.

Dosja e re e publikuar nga “Pamfleti” konfirmon dyshimet për falsifikim dokumentesh dhe konflikt të pastër interesi në karrierën e Elion Mustafajt.
Në moshën 24 vjeçare, ai filloi punë si kancelar në Prokurorinë e Durrësit, ndërkohë që deklaron se ndiqte studimet universitare “me kohë të plotë”. Përveç problemeve me diplomimin dhe aktivitetin profesional, Mustafaj ka 7 kallëzime penale në proces, ndërsa bashkëshortja e tij përfiton financiarisht nga një person i dënuar për grabitje në Angli.

Dosja personale e Elion Mustafajt, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Fierit, po zbulohet si një shembull i qartë i dyfishtë i dështimit të reformës në drejtësi:
një prokuror i kallëzuar 7 herë për korrupsion, lidhje me krimin dhe falsifikim dokumentesh, por i mbajtur në detyrë me bekimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit të Vetingut.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Pamfleti”, në dosjen e tij personale Mustafaj ka deklarime kontradiktore për periudhën e arsimimit dhe punës:

Ai ka deklaruar se në 1 maj 2004, në moshën 24 vjeçare, ka filluar punë si kancelar me kohë të plotë në Prokurorinë e Durrësit;
Ndërkohë, në të njëjtën periudhë, ka deklaruar se ndiqte studimet universitare me kohë të plotë në Universitetin e Tiranës, gjatë viteve 2003–2007;
Nuk ka deklaruar fakultetin, profilin apo specializimin e diplomës;
Asnjë dokument zyrtar nuk konfirmon përfundimin e studimeve apo mbrojtjen e diplomës;
Për më tepër, ai deklaron se në të njëjtën periudhë ka përfunduar edhe një “Master Shkencor”, megjithëse ende nuk kishte mbaruar studimet bazë universitare.
Këto mospërputhje do të mjaftonin për të ngritur dyshime të forta për falsifikim diplome, por asnjë organ shtetëror nuk ka ndërhyrë për ta verifikuar.
Në vend që të pezullohej për hetim administrativ, Mustafaj u emërua më 9 qershor 2023 Drejtues i Prokurorisë së Fierit, me firmën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kryeprokurori i Fierit, me diplomë të dyshimtë dhe 7

Një karrierë e ndërtuar mbi heshtjen e institucioneve

Karriera e Mustafajt në sistemin e drejtësisë ka qenë një rrugë vertikale e shpejtë, por e mbështetur në lidhje personale dhe politike, jo në meritë profesionale:

2004–2007: Kancelar në Prokurorinë e Durrësit.
2007–2010: Oficer i Policisë Gjyqësore.
2011–2016: Prokuror në Prokurorinë e Durrësit.
2017–2022: Prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme.
2023: Drejtues i Prokurorisë së Fierit.
Në të gjitha këto pozicione, Mustafaj ka pasur kallëzime për korrupsion, abuzim me detyrën, fshehje pasurie dhe favorizim të personave nën hetim.
“Pamfleti” ka publikuar më herët 7 kallëzime penale, mes tyre për:

1.  Favorizimin e një personi të dënuar për grabitje në Angli, ku bashkëshortja e Mustafajt punon si administratore në kompaninë e tij;

2.  Ndërhyrje në dosjen “Bankers Petroleum”, duke hequr nga hetimi gruan dhe vajzën e shefit të tij në Prokurorinë e Përgjithshme;

3.  Lidhje të drejtpërdrejta me biznesmenë dhe avokatë të përfshirë në dosje të SPAK-ut;

4.  Konflikt interesi në hetime për krime ekonomike dhe pastrim parash.

Një “veting” për sy e faqe

Megjithë këtë bagazh, Komisioni i Vetingut e konfirmoi në detyrë Mustafajn, pa analizuar as deklaratat e rreme të arsimimit, as lidhjet familjare me persona të dënuar jashtë vendit.
Kjo vendimmarrje, në shkelje të ligjit, tregon se procesi i vettingut nuk është filtrues i integritetit, por mjet selektiv politik, që ruan njerëzit e bindur në sistemin e drejtësisë.

Burime të besueshme i thanë “Pamfletit” se Elion Mustafaj është në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, për shkak të dyshimeve për korrupsion, ndërhyrje në hetime dhe lidhje me persona të shpallur “non-grata”.
Megjithatë, ai vazhdon të drejtojë një nga prokuroritë më problematike të vendit, Fierin, zonë e njohur për përplasje politike, interesa të mëdha ekonomike dhe lidhje të forta mes politikës e krimit të organizuar.

Në fund, rasti i Elion Mustafajt është përmbledhja perfekte e hipokrizisë së reformës në Drejtësi:
një prokuror me diplomë të dyshimtë, lidhje me të dënuar jashtë vendit, shtatë kallëzime penale dhe mbështetje politike, që jo vetëm nuk ndëshkohet, por promovohet.
Në një sistem ku meritokracia është farsë, Elion Mustafaj është simboli i drejtësisë që mbron veten, jo ligjin./Pamfleti

prokurori i fierit elion mustafaj

4 Komente

  1. A
    Autori

    Jo me kot Gjykata e Rrethit Fier, e cila ka administruar dosjet kryesore mbi korrupsionin ne Patos-Marines, etj. ka heshtur prej mbi 30 vite, sepse ne krye te saj jane keta hajdute te drejtesise, qe vetem hapin dhe mbyllin dosje pa fajtor dhe vjedhin bashke me koncesionarin Kanadez dhe kete Kinez. . . . . . . . . . I bëjë thirrje SPAKU-ut, nëse janë bijë të këtij populli dhe të pavarur politikisht, të mos heshtin për këtë aferë korruptive në pasuritë natyrore. Hetoni këtë masakër me pasoja kaq të rënda dhe Gjykatën Fier, se ajo ka vite që hapë e mbyllë dosje korrupsioni dhe jo vetëm si heton, por ka tjerë leshë e ka thurë vetëm ҫorape për Bankers-in. Ka plotë fakte, është vjedhje hapur, që vetëm ju mund ti analizoni dhe hetoni. Hetimi mbi vjedhjen dhe shkatërrimin e një prej vendburimeve më të mëdha në Europë, me pasuri prej miliarda Euro, të përfshijë edhe Bankers-in kanadez, gjithë kompanitë që operojn dhe kanë operuar vendburimet tjera të naftës/gazit, bitumit, minierat, fabrikat/uzinat e përpunimit tyre. Kanë të njëjtat skema vjedhje dhe koka drejtuese është politika, “majtas-djathtas”. . . . . . . . . . . . Lexoni me shume mbi kete vjedhje marramendese prej miliarda Euro vetem ne Patos - Marines ku kjo gjykate ka pasur rolin kryesor per te hetuar kete dhe shkaterrimin e kesaj pasurie natyrore dhe nuk ka bere asgje vetem se ka vjedhur bashke me ta, ne shkrimin e botuar keto dite ne disa media: https://sot.com.al/opinion-editorial/kupolapolitike-qeveritare-me-konҫesionaret-oligarke-grabisin-gjithe-pasurite-natyrore-minerarete-shqiptareve-nen/ Video: https://www.youtube.com/watch?v=2176RTWRJFQ

    1. A
      Altin Prifti

      Te gjithe anetaret e KPK duhen denuar me burgim te perjetshem per tradheti kombetare!

      1. T
        Tarrasi

        10.07.2007 perfundon studimet UT 2006 - 2008 Master shkencor UT dmth paska filluar masterin 1 vit perpara perfundimit te ciklit 4 vjecar, si ka mundesi?! sa te zotet qe jane ca...

        1. K
          K. Mehalla

          Te pershendes z. Gjergj, Po lexoja tani kete shkrim te Pamflet per prokurorin e Fierit Elion Mustafaj. Kujtoj se kam ndeshur dhe nje here tjeter me pare nje shkrim kritik per te nga ju. Per hir te se vertetes, meqe kete person e kam nga zona ime dhe nena e tij ka qene mesuesja ime ne fillore ndaj e njoh Elionin ne distance dhe kosnstatoj qe disa fakte te shkruara jane jo te sakta, me shume shpifje dhe me duken si tedencioze per te. Si ju thashe me lart veprimtarine e tij e njoh ne distance dhe di qe arsimimin e ka bere me kohe te plote ne FD per vitet nuk me kujtohen kur po ka qene student i mire dhe me duket pa sens qe te mos kete diplome si aludoni. E them kete edhe nga vleresimet e badhkemoshatareve te tij studentore qe kam degjuar qe jane sot gjyqtare apo prokurore ose avokate. Se dyti , ju thoni : 1 Favorizon nje person te denuar per grabitje ne Angli ku badhkeshorta e Eljon Mustafajt punon si administratore ne kompanine e tij. Ne dijenine time ajo nuk ka punuar ndonjehere administratore kompanie dhe nuk ka asnje lidhje me kete emer ndaj duket histori e sajuar Po ashtu, edhe kur thoni mga burime te besuara te Pamfletit se Elion Mustafaj eshte ne listen e zeze te Departamentit Amerikan te Shtetit me duket qesharake dhe natyrisht nuk eshte e verte, pasi siç te thashe duke qene se jemi nga i njejti vend mesojme ne distance per njeri-tjetrin nga rrethi shoqeror e miqesor, ai shkon rreth dy here ne vit ne Amerike dhe ju thoni eshte ne listen e zeze!? Si lexues i juaj me duhet te them tw verteten ashtu siç e di dhe spresoj qe me kete informacion tu ndihmoj lidhur me kete sipermarrje tedencioze qe hedh balte e cenon integritetin moral e profesional te nje djali te ri per keto tre fakte qe pa hezitim i quaj shpifje te spinsorizuara nga interesa okulte qe jo vetem nuk i sherbejne te vertetes por bejne pis edhe emrin e portalit tuaj qe shpesh here eshte per mua burim i se vertetes duke botuar skandale dhe ngjarrje me emra te erret qe kalerojne mes krimit dhe korrupsionit.

          Lini një Përgjigje