TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 9 Dhjetor 2024, 12:24

Harbutëria në parlament, paradë e deputetëve para Edi Ramës e Sali Berishës

Shkruar nga Pamfleti

Harbutëria në parlament, paradë e deputetëve para Edi

Sipas ligjit zgjedhor, Edi Rama e Sali Berisha, do vendosin në lista ata që duan; jo për të bërë parlamentarizëm, por për të krijuar grupe deputetësh të besuar e të nënshtruar, duke mos dashur t’ia dinë nëse krijohen qejfmbetje e largime, sepse ata janë në mandatin e fundit...

Marrëveshjet e dukshme personale mes Edi Ramës e Sali Berishës, tregojnë se në përmbajtje, salla e parlamentit është kthyer në një qendër pazaresh për ligje klienteliste, goditjen e SPAK, Gjykatës së Posaçme, KLSH-së e medias, që furnizojnë drejtësinë me aferat korruptive, por dhe një skemë kaosi politik e publik, për të frenuar hyrjen në BE.

Këto pazare, Rama e Berisha po i realizojnë nëpërmjet deputetëve të tyre, të cilët janë instruktuar të aktrojnë, sikur po kacafyten për interesat e vendit dhe hallet popullit, lojë të cilës i ka dalë boja në sy të shqiptarëve e ndërkombëtarëve.

Por rasti i fjalorit harbutëror mes Erion Braçe e Ina Zhupës dhe të tjerëve si këta, është degradim i parlamentit, që lidhet me sjelljen e deputetëve të mazhorancës e opozitës në këtë prag zgjedhjesh, si dhe me vazhdimësinë e tyre si deputetë.

Puthjet, banketet, krushqitë, punësimet e familjarëve në zyrat e pushtetit; shëtitjet e përbashkëta nëpër botë; ligjet për përfitime; lejet për kulla, licenca, grabitja e pasurive, ortakëritë legale e ilegale në biznese, dëshmojnë se shefat dhe deputetët e PS-PD janë bashkë në interesa personale.

Lidhje, që ka krijuar bindje të plotë e përfundimtare, se kacafytja e deputetëve në parlament para zgjedhjeve, nuk ka lidhje me hallet e shqiptarëve e as me integrimin, por është paradë e deputetëve të PS e PD para sundimtarëve Edi Rama e Sali Berisha, si provë besnikërie, për të garantuar mandatet në vitin 2005.

Sepse deputetët aktualë, janë të rrezikuar nga marrëveshja Rama-Berisha, që 30% e kandidatëve të jenë në lista të mbyllura, me mandate të garantuar edhe sikur të mos marrin as 1votë.

Ndërsa 70% e kandidatëve, të PS e PD do jenë në lista të hapura, të varur nga votat personale që do marrin në zonat e kandidimit, ku kanë humbur toalisht besimin e militantëve të partive, madje dhe te të afërmit e tyre.

Shumë deputetë të heshtur të PS me nga 2-3 mandate, kanë filluar të zgjohen e mbajnë fjalime të blera; të cilët, në çdo fjali i thurin elozhe Bablokut, duke e quajtur “Zeus, lider botëror e shpëtimtar të Shqipërisë”, me shpresë se do jenë përsëri në listat e garantuara.

Por dhe deputetët aktivë me 4-8 mandate, kanë filluar të jenë më harbutë në parlament, si lëpirje që të garantojnë futjen te listat e pjesës 30%, sepse i ka trembur deklarata e Edi Ramës, që deputetët me mbi 3 mandate nuk do jenë në lista, ose në listat e hapura me vota personale.

Ndërsa Sali Berisha, duke mos vënë kufizime të tilla, ka krijuar shpresa te deputët e PD, që të ëndërrojnë se do jenë në listat e mbyllura, ngaqë i ka trembur fakti, se në shumë vende te pjesa 30% e listës së sigurt, Sali Berisha do kandidojë familjarë e krushq të tij, si Argita Berisha, Jamaarbër Malltezi, Shpresa Breçani, Flutura Kola etj.

Por deputetët e PD, i ka trembur dhe fakti, që në këtë prag zgjedhjesh, Sali Berisha ka afruar e aktivizuar të preferuar e shëbëtorë të vjetër dhe emra të rinj, si Jozefina Topalli, Gjin Gjoni, Avenir Peka, Çlirim Gjata, Fatbardh Spahia, Andi Bensik Mustafaj, Ilda Zhulali etj.

Sipas ligjit zgjedhor, Edi Rama e Sali Berisha, do vendosin në lista ata që duan; jo për të bërë parlamentarizëm, por për të krijuar grupe deputetësh të besuar e të nënshtruar, duke mos dashur t’ia dinë nëse krijohen qejfmbetje e largime, sepse ata janë në mandatin e tyre të fundit./Pamfleti

harbutëria në parlament edi rama sali berisha deputetët

Lini një Përgjigje