TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 9 Tetor 2025, 19:36

Gërmadha që i mori shpirtin Astrit Kalasë!

Shkruar nga Pamfleti

Gërmadha që i mori shpirtin Astrit Kalasë!

Krimi në sallën e gjyqit nuk ishte një shpërthim nervash për çështje prone, por pasojë e një frymë banditeske që ushqehet nga pushteti absolut dhe kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri...

Karakatina e pronës që shkaktoi një tragjedi të madhe njerëzore dhe një akt terrorist brenda shtetit është dëshmi e thellë e një mjerimi institucional.

Ngjarja e vrasjes me gjakftohtë të gjyqtarit të Apelit nuk mund të reduktohet thjesht në një konflikt prone; pas saj qëndron një mentalitet banditesk i përqendruar në pushtet, ku vendimet sundohen nga lart dhe institucionet janë vetëm fasadë.

Përditë, tentativat për ta paraqitur atë ngjarje si një sherr pronash kanë qenë një përpjekje për të errësuar realitetin: ky ishte një akt kriminal i nxitur nga kultura e impunitetit dhe nga ideja se disa aktorë mund të kenë “karta bianko” për të vepruar me dhunë.
Një shfaqje e tillë e pushtetit absolut krijon përbindëshin që sot mori jetën e Astrit Kalasë, jo për një dokument të diskutueshëm, por sepse ka njerëz që ndihen të paprekshëm dhe të autorizuar për të vendosur mbi jetën e tjetrit.

Vdekja e Astrit Kalasë është një monument horror që na tregon se nuk jemi ende të aftë të quhemi një shoqëri evropiane.

Së pari, sepse sistemi nuk i garantoi jetën dhe sigurinë një elementi të drejtësisë; së dyti, sepse kemi lejuar që konflikte të tilla të shndërrohen në bombë me sahat me pasoja tragjike.
Gjykata është vendi ku zgjidhen diskutimet ligjore, jo arena ku prodhohen dënime me armë. Kur administrata dhe burokracia prodhojnë vendime paralele për të njëjtën pronë, krijohet terreni për dhunë ekstreme, si ajo që ndodhi.

Për 30 vjet, frustimi i akumuluar nga keqadministrimi, korrupsioni dhe pazaret mbi pronën ka përfunduar shpesh në sallat e gjykatave. Por kur drejtësia nuk funksionon si duhet, kur institucionet zvarriten ose kanë interesa, konflikti civil rrezikon të kthehet në konflikt fatal. Kjo është përmasa e tragjedisë që përjetuam me Astrit Kalënë.

Dhe, kur pas një tragjedie të tillë vjen reagimi i shpejtë politik dhe operacional që synon të “zbrazë vendin nga problemi” me metoda shkatërruese, si prishjet me tritol që shpesh shoqërojnë veprime të IKMT, lind pyetja: a zgjidhen problemet me dhunë dhe me spektakël?

Përgjigja e shoqërisë duhet të jetë e qartë: jo!
Zgjidhja kërkon një reformë të thellë institucionale: drejtësi funksionale, mbrojtje e pavarur e gjyqtarëve, administratë transparente dhe ndëshkim real të abuzimeve me pronën. Vetëm kështu mund të parandalohet që tragjedi të tilla të përsëriten./Pamfleti

gërmadha që i mori shpirtin

2 Komente

  1. L
    Lenci

    Populli shqiptar duhet te mesoje fjalen "negociate", nje proces ku asnje nuk fiton gjithçka dhe të gjithë fitojnë diçka.Mjaft me dhune dhe urrejtje, duhet qytetari, zbatim ligji, marrëveshje, harmoni, bashkëpunim dhe pikë! U lodhëm me egërsirat në qeveri e kopjet e tyre në të gjitha nivelet, ky popull duhet të zbutet dhe mos ta pranojë me dhunën e imponuar nga padrejtësitë.

    1. E
      Erli

      Ore po Psikologe ka ketu? se jane bere te gjithe memece marrin rrogen e flene syhapur (vetem rroba e udhetime) gjyqe kemi pasur e kemi te gjithe, po keta tallen se kane siguruar vendin e tyre te punes duke iu falur politikanëve e tani u ngel ne preher se politikani dredhon (po nuk i ndërrove behen padron) tani kush nuk u vra emocionalisht financiarisht gjithe këto vite, me letra ne rregull e ta rrëzon gjykatësi/sja se o ka marrë zarfın, nderin, shkollën e fëmijës, o e kane kërcënuar më e keqja. si devijuan te gjithe, po ata qe u vrane rrugeve? ne çfarë derexheje të sëmurë jemi të gjithë... kuturu nuk dimë ca duam... tmerr

      Lini një Përgjigje