Talenti shqiptar Erblin Osmani ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke nënshkruar kontratën e parë me Bajernin e Mynihut. Marrëveshja e re e mban të lidhur me klubin bavarez deri në vitin 2029, një tregues i besimit që gjiganti gjerman ka ndaj mesfushorit premtues.
Osmani ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij, duke debutuar me ekipin e parë të Bajernit që në moshën 16-vjeçare. Sipas marrëveshjes, kontrata e tij do të shndërrohet automatikisht në kontratë profesionisti më 19 maj 2027, ditën kur ai do të mbushë 18 vjeç.
Mesfushori me tipare mbrojtëse ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Gjermanisë, ndërsa e ardhmja e tij në arenën ndërkombëtare mbetet ende e hapur.
Burime bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe Osmani ka zhvilluar takime me përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ndërkohë, nuk ka ende informacione nëse Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë hapa konkretë për ta bindur talentin shqiptar që në të ardhmen të përfaqësojë kombëtaren kuqezi.
Njoftimi i Bajernit të Mynihut:
FC Bajern e ka zgjatur para kohe kontratën e Erblin Osmanit. Mesfushori i talentuar 17-vjeçar iu bashkua akademisë së kampionëve kur u hap kampusi në vitin 2017 dhe që prej asaj kohe ka kaluar nëpër të gjitha ekipet e moshave.
Jochen Sauer, drejtori i Zhvillimit të Akademisë, u shpreh:
“Erblini është vendës i Mynihut dhe një produkt i vërtetë i akademisë së FC Bajern. Ai tashmë ka bërë debutimin me ekipin e parë dhe ne jemi të bindur për potencialin e tij të mëtejshëm në zhvillim. Jemi shumë të lumtur që Erblini do t’i hedhë edhe hapat e ardhshëm me ne”.
Osmani iu bashkua akademisë së FC Bajern nga ekipi U9 i TSV Milbertshofen. Sezonin e kaluar fillimisht luajti me ekipin U17, më pas edhe me U19, ndërsa në muajin mars bëri debutimin me ekipin e parë në Allianz Arena, në fitoren 4-0 ndaj Union Berlinit në Bundesligë, nën drejtimin e trajnerit Vinsent Kompani.
Për sezonin e ardhshëm, ai është planifikuar të aktivizohet fillimisht me ekipin U19. Kontrata e tij e re do të shndërrohet automatikisht në një kontratë profesioniste sapo të mbushë 18 vjeç.
Lini një Përgjigje