E ardhmja e Marash Kumbullës duket larg Romës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është rikthyer në Trigoria pas përfundimit të huazimit në Spanjë, por gjithçka tregon se ai nuk bën pjesë në planet e trajnerit Xhan Piero Gasperini për sezonin e ri.
Klubi verdhekuq po punon për të sistemuar futbollistët që nuk konsiderohen pjesë e projektit dhe Kumbulla është një nga emrat kryesorë në listën e largimeve. Objektivi i drejtuesve është një transferim përfundimtar, që do t'i sillte klubit të ardhura për të financuar afrimet e reja në merkaton e verës.
Sipas specialistit të merkatos, Mateo Moreto, tre skuadra të La Ligës kanë shfaqur interes konkret për 26-vjeçarin. Bëhet fjalë për Rajo Vajekanon, Levanten dhe Elçen, të cilat kanë kërkuar informacion nga Roma për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.
Interesimi i tyre nuk është rastësor. Kumbulla la përshtypje pozitive gjatë eksperiencës së tij në futbollin spanjoll sezonin e kaluar dhe profili i tij vazhdon të vlerësohet në La Liga. Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka oferta zyrtare apo negociata të avancuara mes palëve.
Në Trigoria ekziston bindja se shitja është alternativa më e mirë. Kontrata e Kumbullës me Romën skadon në verën e vitit 2028, ndërsa një tjetër huazim do të ulte ndjeshëm mundësinë që klubi të përfitonte financiarisht nga largimi i tij.
Aktualisht, mbrojtësi shqiptar vijon të stërvitet me skuadrën, por sipas mediave italiane ai nuk është pjesë e grupit kryesor mbi të cilin Gasperini po ndërton Romën e re. Për këtë arsye, pritet të mos ketë hapësira edhe në ndeshjet miqësore të fazës përgatitore.
Përveç Kumbullës, në listën e futbollistëve që pritet të largohen nga Roma janë edhe Salah-Edine, Pagano, Çerubini dhe Vaskez.
Kumbulla nuk dorëzohet
Edhe pse sinjalet nga klubi nuk janë pozitive, vetë Marash Kumbulla nuk e ka humbur shpresën. Në deklaratat e fundit ai ka bërë të qartë se dëshira e tij është të qëndrojë te Roma dhe të bindë Gasperinin se meriton një vend në skuadër.
Megjithatë, me interesimin në rritje nga Spanja, rikthimi në La Liga duket skenari më i mundshëm për mbrojtësin shqiptar. Nëse njëra prej Rajo Vajekanos, Levantes apo Elçes vendos të kalojë nga interesi te oferta konkrete, aventura e Kumbullës me fanellën verdhekuqe mund të mbyllet përfundimisht gjatë kësaj vere.
Lini një Përgjigje