Franca dhe Gjermania po planifikojnë të paraqesin një kandidaturë të përbashkët për organizimin e Kupës së Botës 2038 ose 2042. Dy prej vendeve me traditën më të pasur në futbollin europian synojnë të rikthejnë turneun më prestigjioz të FIFA-s në kontinent, pas edicioneve të vitit 2030 në Spanjë, Portugali dhe Marok, si dhe atij të vitit 2034 në Arabinë Saudite.
Sipas raportimeve, Parisi dhe Berlini kanë nisur të punojnë për një projekt të përbashkët, i cili fiton edhe më shumë peshë për shkak të diskutimeve brenda FIFA-s për zgjerimin e Kupës së Botës nga 48 në 64 kombëtare. Një format i tillë do të kërkonte më shumë stadiume, infrastrukturë moderne dhe kapacitete të larta organizative, duke e bërë bashkëorganizimin një zgjidhje ideale.
Franca dhe Gjermania konsiderohen ndër vendet më të përgatitura për të pritur një event të këtyre përmasave, falë stadiumeve moderne, rrjetit të zhvilluar të transportit dhe përvojës së gjatë në organizimin e kompeticioneve ndërkombëtare.
Franca ka qenë mikpritëse e Botërorit në vitet 1938 dhe 1998, ndërsa Gjermania e ka organizuar turneun në vitet 1974 dhe 2006. Të dyja vendet kanë pritur gjithashtu disa edicione të Kampionatit Europian, duke konfirmuar aftësitë e tyre organizative.
Nëse projekti realizohet, Kupa e Botës do të rikthehej në zemër të Europës pas shumë vitesh, ndërsa kandidatura franko-gjermane pritet të jetë një nga më të fortat për edicionet pas vitit 2034.
Lini një Përgjigje