Pjesa e parë e sfidës mes Egnatias dhe Celjes, e vlefshme për ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Champions League, është mbyllur në barazim 1-1.
Skuadra nga Rrogozhina e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 7-të. Pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Altin Kryeziu, Eneo Bitri goditi me kokë, ndërsa topi u devijua nga një mbrojtës kundërshtar dhe përfundoi në rrjetë.
Në minutën e 16-të, Egnatia u përball me një goditje të rëndë, pasi sulmuesi kryesor Sumaila Bakajoko u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi. Ai u transportua me barrelë, ndërsa vendin e tij e zuri Daniel Adjesa.
Kur dukej se vendasit do ta mbyllnin pjesën e parë në epërsi, Celje gjeti golin e barazimit në kohën shtesë. Pas një krosimi nga goditja e këndit të Svit Seslar, Mario Kvesiç u gjend në vendin e duhur dhe e shtyu topin në rrjetë, duke vendosur rezultatin 1-1 në fund të 45 minutave të para.
Lini një Përgjigje