Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se autoritetet përballen ende me “disa orë të vështira” në përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret pranë Madridit, megjithëse është shënuar përparim në frenimin e flakëve.
Gjatë vizitës në zonat e prekura nga zjarret në Avila, Sánchez u shpreh se ekipet e emergjencës po punojnë për të stabilizuar zonat ku flakët duket se janë vënë nën kontroll, ndërsa në disa pjesë zjarret vijojnë të jenë aktive.
“Po punojmë për të konsoliduar zona të caktuara ku duket se zjarret mund të jenë vënë në kontroll dhe shuar tashmë”, tha Sánchez.
Përparimin në terren e konfirmoi edhe drejtuesi i Njësisë Ushtarake të Emergjencave, nënkoloneli Alfonso Arribas, i cili bëri të ditur se është arritur avancim i konsiderueshëm përgjatë perimetrit të zjarrit, megjithatë ndërhyrjet vazhdojnë në disa vatra aktive.
Kryeministri spanjoll paralajmëroi gjithashtu se sezoni i zjarreve po bëhet gjithnjë e më i rëndë. Sipas tij, sipërfaqja e djegur në vend është rritur nga 130 mijë në 150 mijë hektarë në më pak se 24 orë.
Lini një Përgjigje