Kthimi i diasporës kosovare për pushimet verore ka sjellë një rritje të ndjeshme të qarkullimit në Rrugën e Kombit, me fluks të lartë automjetesh që i drejtohen Kosovës përmes pikës kufitare të Vërmicës.
Me afrimin e fundit të muajit korrik, numri i mjeteve dhe udhëtarëve është shtuar ndjeshëm, pasi mijëra bashkatdhetarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës po kthehen në vendlindje për të kaluar pushimet e muajit gusht.
Si pasojë e këtij fluksi, në pikën kufitare të Vërmicës është regjistruar ngarkesë e shtuar, sidomos gjatë orëve të mesditës, kur krijohen radhë automjetesh në hyrje të Kosovës.
Për të shmangur vonesat dhe pritjet e gjata, autoritetet doganore dhe policore të Kosovës kanë vënë në zbatim procedura të përshpejtuara të kontrollit kufitar, me synim përpunimin sa më të shpejtë të automjeteve dhe udhëtarëve.
Rruga e Kombit vijon të jetë korridori kryesor tranzit për diasporën kosovare që udhëton nga vendet evropiane drejt Kosovës gjatë sezonit veror, ndërsa autoritetet presin që fluksi të vijojë të rritet edhe në ditët në vazhdim.
Lini një Përgjigje