Debati për reformën e re territoriale dhe mundësia që Bashkia Prrenjas të bashkohet me Bashkinë Librazhd ka nxitur reagimin e komunitetit vendas. Qytetarë të zonës janë organizuar në një Aleancë për Mbrojtjen e Bashkisë Prrenjas, me synimin për të kundërshtuar çdo ndryshim që do t'i hiqte kësaj bashkie statusin si njësi administrative më vete.
Nismës i janë bashkuar intelektualë, sipërmarrës, fermerë, të rinj dhe përfaqësues të ndryshëm të komunitetit, të cilët kanë nisur punën për hartimin e një dokumenti argumentues. Ky material synon të paraqesë arsyet pse Prrenjasi duhet të vazhdojë të funksionojë si bashki e pavarur në kuadër të ndarjes administrative të vendit.
Sipas organizatorëve, drafti pritet të përfundojë gjatë muajit shtator. Pas finalizimit, ai do t'i dorëzohet Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale, Kryeministrisë, Kuvendit të Shqipërisë, si edhe institucioneve ndërkombëtare.
Dokumenti do të përfshijë argumente që lidhen me zhvillimin ekonomik të zonës, pasuritë natyrore, trashëgiminë historike dhe vlerat kulturore të Prrenjasit. Nismëtarët vlerësojnë se këta faktorë përbëjnë bazë të mjaftueshme për të ruajtur bashkinë si një njësi administrative të veçantë.
Takimi i parë i Aleancës mblodhi një numër të konsiderueshëm qytetarësh, të cilët shprehën mbështetjen për këtë iniciativë. Organizatorët theksuan se lëvizja do të mbetet jashtë ndikimeve politike dhe do të funksionojë si një nismë qytetare, e përqendruar në mbrojtjen e interesave të komunitetit dhe në ruajtjen e identitetit, zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të Prrenjasit.
Banorët e Prrenjasit prej ditësh janë në protestë kundër planit për bashkimin me Librazhdin, por nga mazhoranca nuk ka ardhur asnjë premtim për t’i dëgjuar kërkesat e tyre. Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla e ka lënë të hapur skenarin e shkrirjes së bashkisë, duke mos dhënë të njëjtën garanci që dha për Mirditën.
Ndërsa për Mirditën deklaroi qartë se nuk do të bashkohet me një bashki tjetër, për Prrenjasin, Balla shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe u fsheh pas argumenteve teknike, duke rikthyer në vëmendje lidhjen historike me Librazhdin.
“Kemi qenë një bashki gjithmonë”, deklaroi Balla. Kreu i grupit parlamentar socialist u kërkoi atyre “qetësi” dhe deklaroi se këto çështje nuk zgjidhen me protesta.
“Duhet ta dinë, këto nuk zgjidhen me protesta”, u tha Balla banorëve të Prrenjasit.
Lini një Përgjigje