
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se sot është dorëzuar zyrtarisht kërkesa për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se iniciativën e grupit parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, e kanë mbështetur edhe 53 deputetë të tjerë opozitarë.
Kamberi i bëri thirrje kryeministrit serb të reagojë, duke theksuar se mbajtja e Paunoviqit në detyrë do të përbënte përgjegjësi politike dhe institucionale.
"Kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore", shkruan Kamberi.
Sipas tij, nëse kryeministri Gjuro Macut nuk propozon shkarkimin e ministres, ai do të mbajë përgjegjësi për vazhdimin e mandatit të saj dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda qeverisë.
Kamberi kritikoi edhe partitë e pakicave që janë pjesë e qeverisë serbe, duke thënë se ato nuk e mbështetën nismën për shkarkimin.
"Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit!", deklaroi ai.
Kujtojmë se, ministrja Snezhana Paunoviq deklaroi në televizionin serb "Kurir" se, nëse do të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Millosheviq në vitin 1999, ajo do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".
Deklarata shkaktoi reagime të ashpra në Kosovë, rajon dhe Bashkimin Evropian.
Ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, e krahasoi Paunoviqin me ish-presidentin serb Slobodan Millosheviq, teksa deklaroi se çdo përpjekje për spastrim etnik në Kosovë do të kishte të njëjtin fund si politikat e regjimit të tij.
Ndërkohë, edhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL) reagoi, duke theksuar se deklaratat e ministres rikthejnë retorikën e lidhur me politikat që çuan në luftë, spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.
Ndërsa, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) e cilësoi deklaratën si gjuhë urrejtjeje dhe mbështetje të hapur për persekutimin mbi baza etnike.
Sipas PSG-së, një zyrtare që arsyeton dëbimin e njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare nuk mund të ushtrojë funksion publik në Qeverinë e Serbisë, aq më tepër kur drejton institucionin përgjegjës për administratën shtetërore dhe garantimin e trajtimit të barabartë të qytetarëve.
Lini një Përgjigje