Reforma territoriale ka shkaktuar përplasje në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës, ku debatet janë shoqëruar me akuza të ndërsjella për projektet e riorganizimit të pushtetit vendor dhe fatin e bashkive në vend.
Polemikat u ndezën pasi deputeti socialist Ardit Bido përmendi sërish hartën e propozuar nga Partia Demokratike gjatë reformës së mëparshme territoriale, duke pretenduar se ajo parashikonte heqjen e identitetit të Delvinës. Pretendimi u hodh poshtë nga deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila mohoi kategorikisht ekzistencën e një projekti të tillë.
Zhupa sqaron se Partia Demokratike ka mbështetur gjithmonë kërkesat e qytetarëve për krijimin e më shumë bashkive dhe jo për shkrirjen e tyre, ndërsa akuzoi mazhorancën se po fsheh planin për reduktimin e njësive të qeverisjes vendore.
“PD kurrë nuk ka pasur një plan të fshehtë, plan për shkrirjen e një bashkie apo për t’i hequr identitetin e vet Delvinës. I vetmi plan ka qenë kërkesa e qytetarëve për më shumë bashki në Vlorë, për të bërë bashki edhe Ksamilin, kurse Orikumi Novoselën. PD e ka mbështetur. S’kemi dalë në dëgjesa që ata të thonë ç’të duan dhe të bëjmë ç’të duam si ju. S’do gjesh një qytetar që të thotë të shkrihen dy bashki. Kush janë 10 bashkitë që do të shkrihen? Del tjetra thotë s’kanë rëndësi emrat. Jemi duke folur për identitete, qytete, shërbime, banorë, ju thoni s’flasim për emra. Ndoshta s’e dini dhe ju dhe bëni atë që dini të bëni më mirë, gënjeni se nuk e keni problem që herën tjetër të votoni siç kërkon partia”, tha Zhupa.
Lini një Përgjigje