TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Korrik 2026, 11:47

Shtyhet mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, opozita nuk pranon Bizhgën; kërkon dëgjesë me Skënder Hitën

Shkruar nga Pamfleti

Shtyhet mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, opozita nuk

Mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës, si për mungesën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ashtu edhe për një përplasje verbale mes bashkëkryetarit të komisionit, Damian Gjiknuri, dhe deputetes demokrate Albana Vokshi.

Në rendin e ditës ishte një seancë dëgjimore me përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare për efektivitetin e masave penale në procesin zgjedhor. Në mbledhje ishte i pranishëm zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, ndërsa mungesa e Skënder Hitës u kundërshtua nga opozita.

Bashkëkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, tha se prania e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ishte e domosdoshme.

"Këtu duhet të ishte Drejtori i Përgjithshëm. Kemi pasur dy seanca të tjera dëgjimore, një me Prokurorinë e Përgjithshme dhe me SPAK, dhe kemi pasur përfaqësim në nivelin më të lartë të dy institucioneve. Prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e SPAK.

Kështu që këtu duhet të ishte Drejtori i Përgjithshëm. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa Parlamenti. Dua që kjo gjë t’i komunikohet. Nuk është e pranueshme aspak që drejtori të mos vijë në një seancë dëgjimore, është çështje respekti për Parlamentin. Është seancë dëgjimore ku do të nënvizojmë problemet", u shpreh Bylykbashi.

Edhe deputeti demokrat Gent Strazimiri kërkoi shtyrjen e mbledhjes.

"Nuk më duket se është një nga ato raste ku drejtori mund të delegojë prezencën e tij në një mbledhje kaq të rëndësishme. Unë nuk besoj se zv.drejtori i përgjithshëm është personi i duhur për t’iu përgjigjur interesit të këtij komisioni.

Nuk është seminar, kemi për të diskutuar gjëra thelbësore për rolin e policisë në zgjedhje. Kjo mbledhje duhet shtyrë. Drejtori i Policisë të sqarohet se ka detyrimin të vijë këtu", deklaroi Strazimiri.

Gjatë diskutimeve pati edhe një përplasje mes Damian Gjiknurit dhe Albana Vokshit, pasi deputeti socialist iu drejtua kësaj të fundit me termin "e dashur", gjë që solli reagimin e menjëhershëm të deputetes demokrate.

Damian Gjiknuri: Duro, jeta nuk është bardh e zi, e dashur!

Albana Vokshi: Mos më thuaj mua 'e dashur' ti. Mos më thuaj mua ashtu, 'e dashur'. Jam anëtare e komisionit.

Damian Gjiknuri: Po çfarë të them? E nderuar, zonjë, për ta bërë jetën me ngjyra.

Albana Vokshi: Mos u merr me jetën time personale.

Damian Gjiknuri: S'po merrem me jetën personale.

Albana Vokshi: Këto janë batuta të kota.

Damian Gjiknuri: Batuta, që të shtensionojë. Mos t'i ngatërrojmë rolet. Ç'punë kam me drejtorët e rretheve unë? Policia është organ i centralizuar. E mira do të ishte që të ishte drejtori i Policisë këtu. Mirë dakord, të mbaroj unë. Pse mërziteni?! Doni të vijë ai? Mirë pra, të bëjmë kërkesë

Debatet shoqëruan pjesën më të madhe të mbledhjes, e cila kishte në fokus rolin e Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse në garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Lini një Përgjigje