Teksa protestat kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e 52-të dhe mazhoranca i cilëson protestuesit si pakicë, studimi i IRI tregon se 51% e qytetarëve janë të pakënaqur me drejtimin e vendit. Dy të tretat besojnë se Shqipëria qeveriset në interes të disa grupeve.
Teksa protestat kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e 52-të dhe kryeministri Edi Rama, së bashku me eksponentë të Partisë Socialiste, kanë minimizuar pjesëmarrjen duke i cilësuar protestuesit si një pakicë, studimi më i fundit kombëtar i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon një rritje të ndjeshme të pakënaqësisë ndaj mënyrës së qeverisjes në Shqipëri.
Sipas sondazhit, 51% e shqiptarëve mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, një rritje me 7 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024, kur kjo shifër ishte 44%. Vetëm 48% besojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur.

Rezultatet nuk matin mbështetjen për protestat, por tregojnë se pakënaqësia ndaj qeverisjes është bërë perceptimi dominues në opinionin publik.
Një tjetër tregues që rëndon bilancin e qeverisë është perceptimi se pushteti nuk qeveris në interes të qytetarëve. 66% e të anketuarve besojnë se Shqipëria qeveriset në interes të disa grupeve, ndërsa vetëm 31% mendojnë se qeverisja është në shërbim të shumicës së njerëzve. Krahasuar me vitin 2024, edhe ky perceptim është përkeqësuar, pasi atëherë kjo shifër ishte 62%.

Kur pyeten për dobësitë kryesore të qeverisë, shqiptarët rendisin në vend të parë emigrimin, më pas korrupsionin dhe rritjen e kostos së jetesës. Në të njëjtën linjë, çmimet e larta, sidomos të ushqimeve, papunësia, pensionet dhe vështirësia për të siguruar një banesë mbeten ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve.
Edhe treguesit për të ardhmen japin një tablo pesimiste. 69% e shqiptarëve nuk besojnë se brezi i ri do të ketë një të ardhme më të mirë në Shqipëri, ndërsa vetëm 29% shprehen optimistë.

Po aq domethënëse janë edhe të dhënat për emigracionin. Nëse do ta kishin mundësinë, 56% e shqiptarëve deklarojnë se do të largoheshin nga Shqipëria për të jetuar ose punuar jashtë vendit. Prirja është edhe më e fortë te të rinjtë 18-35 vjeç, ku 85% shprehen se do të emigronin nëse do t'u jepej mundësia.
Sa i takon ekonomisë familjare, vetëm 25% e të anketuarve thonë se gjendja e tyre është përmirësuar gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa 31% deklarojnë se është përkeqësuar dhe 44% nuk shohin asnjë ndryshim.

Sondazhi evidenton gjithashtu se korrupsioni mbetet një nga problemet më serioze të vendit. Shqiptarët identifikojnë si sektorët më të korruptuar kujdesin shëndetësor, gjyqësorin, administratën publike dhe qeverinë qendrore.

Megjithatë, mes pak institucioneve që vazhdojnë të gëzojnë besim të lartë publik renditet SPAK-u. Sipas studimit, krijimi i Prokurorisë së Posaçme konsiderohet arritja më e rëndësishme e reformës në drejtësi, ndërsa shumica e qytetarëve deklarojnë se nuk do të mbështesnin një forcë politike që do të synonte kufizimin e kompetencave të saj.
Në tërësi, studimi i IRI përshkruan një klimë të rritjes së pakënaqësisë ndaj qeverisjes. Në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë prej javësh, sondazhi tregon se shumica e shqiptarëve besojnë se vendi po ecën në drejtimin e gabuar, se qeverisja favorizon interesa të ngushta dhe se emigrimi, korrupsioni dhe kostoja e jetesës mbeten problemet më të mëdha me të cilat përballet vendi. /Pamfleti
Realisht kete palaco kryem nuk e do me asnje as te vetet.
Po si mendoni se ka nevoj per sondazhe kur te gjithe sektoret jane te falimentuar?
PARODI________ APOLOGJIA E RAMËS – PAKETAT E SHPOPULLIMIT___________ Të dashur protestuesit e mi, Prapë dolët atje në shesh, Po mirëqenia s'bie nga qielli, Pra, mos e merrni me stres.___________ Mos bërtisni, o protestues, Se po humbni energjinë, Më thoni si bëhet mirëqenia, Pa shitur pak Shqipërinë?_____________ Po me ç'do jetoni ju vallë, O patriotë plot krenari? Që thoni "Shqipërinë s'e shesim", Si do çoni bukë në shtëpi?_____________ Ju zemërakë të flaktë thoni, "Shqipërinë s'e japim kurrë", Po me ç'do mbushni xhepat vallë? Me këngë, valle dhe flamur?___________ Do shisni qeleshe nëpër botë? Apo do shisni çifteli? Do eksportoni shqiponja, Apo do rrini papunë në shtëpi?___________ Po kështu nuk mbahet shteti, As nuk rritet ekonomia. Prandaj shpikëm paketat tona, Kjo është gjithë filozofia._____________ Patriotizmi është i bukur, Kur trumbetohet në televizion, Por zhvillimi do investim, Dhe ekonomia do beton,_____________ Prandaj bëmë paketën e bregut, Se deti rrinte kot pa zot. Sot ka trarë, roje e resorte, Kjo quhet zhvillim në botë.___________ E nisëm dikur me bregdetin, Një sukses që s'ka të sharë. Marina, vila e plazhe private, Luks i madh si kurrë më parë!__________ Disa thanë "na zunë bregun", Të tjerë "s'ka më hyrje pa lek", Po ç'rëndësi ka kjo për kombin, Kur pamja del bukur në internet?_________ Pastaj erdhi paketa tjetër, Për zonat e mbrojtura me ligj. Mbrojtëm natyrën me beton, Se me natyrën jemi miq.____________ Investorët strategjikë erdhën, Pa projekt por me vizion, Mos kini merak për flamingot, Lagunat do mbeten atraksion.____________ Betonin e quajmë zhvillim, Kullat i quajmë progres. Kur s'ka pyll, nuk ka zjarr, Kështu do kemi veç sukses._____________ Më pas menduam për arat, Se fshati mbeti pa rini. Djemtë ikën në emigrim, Dhe toka mbeti pa njeri._______________ Ç'do bëjë fshatari i shkretë? Me kë do e lërojë atë dhe? Prandaj ia japim investitorit, Se ai e lëron më mirë se ne.______________ Do mbjellë resorte mbi grurë, Dhe sera me pishina plot. Domatet s'kanë më rëndësi, Se te importi mbështetemi fort.___________ Po mos mendoni se do ndalem, Kam ende plot ide pa fund. Po punoj për paketën e maleve, Që zhvillim të ketë gjithëkund.___________ Na duhet paketa e maleve, Që mali të mos rrijë kot. Për dhitë do paguani qira, S'do kullosin më si sot._____________ Ju thoni mali është i popullit, Unë them është kapital. Po s'e dhamë për zhvillim, Do mbetet vetëm me bar._____________ Që në male të kemi rilindje, Mali nuk duhet lënë i shkret. Për çfarë na duhen ato pisha, Kur mund të sjellin më shumë lek?________ Do ngrihen vila panoramike, Spa, kazino dhe restorant. Edhe ariu po deshi shëtitje, Të blejë biletë për në park._____________ Po kam dhe një ëndërr tjetër, Që askush s'e ka menduar. Paketën e ajrit do ta sjell, Kur mirë ta kem studiuar.______________ Kush do të marrë frymë lirshëm, Do paguajë një tarifë të lehtë, Ajri është një aset kombëtar, S'mund të thithet sikur s'ka shtet._________ Ajrin ende s'e jap dot, Do pastruar, ka rëndësi. Pak e ndotën kullat tona, Dhe karburanti pa cilësi. ____________ Mos u mërzisni për parqet, Se kullat sjellin qytetari. Hijen e pemës e zë betoni, Se ai ka më qëndrueshmëri._____________ Ju vazhdoni me protesta, Me pankarta e zemërim, Unë vazhdoj të bëj paketa, Se kështu ju sjell zhvillim.____________ Sot paketë për malet tona, Nesër qiellin me koncesion. Pasnesër ndoshta edhe retë, Me partneritet dhe me vizion.___________ Ju thoni "mos e shit vendin", Unë ju them "mos kini merak". S'e kam shitur Shqipërinë, Veç sa e kam paketuar pak.____________ Prandaj mos kërkoni dorëheqje, Me protesta mos u lodhni shumë, Sa kohë ka ende ç'të paketohet, Unë kam ende shumë punë.