Raporti për Reformën Territoriale është hequr nga rendi i ditës i seancës plenare të së enjtes, në një kohë kur jashtë Kuvendit janë paralajmëruar protesta të reja qytetare kundër qeverisë. Pas më shumë se 50 ditësh mobilizim në rrugët e Tiranës, organizatorët kanë njoftuar se protesta do të zhvendoset pikërisht përpara Parlamentit, ku një nga kërkesat kryesore mbetet anulimi i ndryshimeve territoriale dhe i ligjeve që, sipas tyre, favorizojnë investitorët strategjikë.
Në axhendën e publikuar nga Kuvendi për seancën e së enjtes nuk figuron më raporti i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, pavarësisht se më herët ishte paralajmëruar se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të paraqisnin analizat e tyre mbi reformën e vitit 2014.
Komisionit të posaçëm i përfundoi mandati më 15 korrik, ndërsa asnjë prej raporteve nuk është shqyrtuar apo miratuar në komision, siç kërkon Rregullorja e Kuvendit.
Paraditen e së enjtes pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të vendosë për kalendarin e punimeve për periudhën 27-31 korrik dhe nëse do të zhvillohet një tjetër seancë plenare, ku mund të përfshihet edhe raporti për Reformën Territoriale, krahas ratifikimit të një marrëveshjeje në fushën e mbrojtjes.
Data 27 korrik shihet si alternativa më e mundshme për shqyrtimin e raportit, nëse Konferenca e Kryetarëve vendos mbajtjen e një seance të re.
Partia Socialiste ka deklaruar se, përveç analizës së reformës territoriale të vitit 2014, do të paraqesë edhe propozimin e saj për hartën e re të ndarjes administrative. Nga ana tjetër, Partia Demokratike pritet të dorëzojë vetëm një analizë të reformës ekzistuese, pa paraqitur një projekt për një hartë të re territoriale.
Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti duhet fillimisht të shqyrtohet dhe të miratohet në komision, përpara se të kalojë për diskutim në seancë plenare.
Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm politik, pasi protestuesit kanë paralajmëruar se do ta zhvendosin aksionin e tyre përpara Kuvendit, duke kërkuar, mes të tjerash, shfuqizimin e "Paketës së Maleve", anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe rishikimin e Reformës Territoriale. Kjo e fundit është kthyer në një nga pikat kryesore të debatit politik, ndërsa Kuvendi ende nuk ka një datë të përcaktuar për shqyrtimin e raportit.
Lini një Përgjigje