TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë22 Korrik 2026, 15:57

SPAK zbarkon në AZHT dhe KKT, dosja "Aruba" çon hetuesit te lejet e kullave dhe investimet strategjike

Shkruar nga Pamfleti
SPAK zbarkon në AZHT dhe KKT, dosja "Aruba" çon hetuesit
Foto ilustruese

BKH sekuestron dokumentacion për projekte në Tiranë dhe bregdet, ndërsa hetimi po thellohet mbi dyshimet për pastrim parash përmes sektorit të ndërtimit...

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka ndërmarrë një nga lëvizjet më të rëndësishme të javëve të fundit në kuadër të dosjes "Aruba", duke ushtruar kontrolle në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT).

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se oficerët e BKH-së kanë sekuestruar dhjetëra dosje që lidhen me leje ndërtimi për kulla, resorte turistike dhe projekte të shpallura si investime strategjike, dokumentacion që tashmë do t'i nënshtrohet verifikimeve të hollësishme nga prokurorët e posaçëm.

Kontrollet janë zhvilluar me autorizim të Gjykatës së Posaçme dhe konsiderohen pjesë e hetimeve që SPAK ka nisur prej kohësh mbi dyshimet se një pjesë e investimeve të mëdha në sektorin e ndërtimit janë përdorur për pastrimin e parave të ardhura nga aktivitet kriminal jashtë Shqipërisë. Burimet bëjnë me dije se gjatë kësaj jave janë tërhequr praktika të plota administrative që lidhen me procedurat e aplikimit, shqyrtimit dhe miratimit të lejeve të ndërtimit, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar nëse gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe kompjuterë apo pajisje të tjera elektronike.

Në qendër të interesit të hetuesve ndodhen projektet më të mëdha të zhvillimit urban në Tiranë dhe në zonat bregdetare, aty ku vitet e fundit janë miratuar dhjetëra kulla, resorte luksoze, komplekse vilash dhe investime që kanë përfituar statusin e investimit strategjik. Hetuesit po verifikojnë jo vetëm procedurat administrative të ndjekura nga institucionet shtetërore, por edhe burimin e financimit të kompanive që kanë përfituar lejet, me synimin për të zbuluar nëse pas tyre fshihen kapitale që burojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

Hetimi lidhet drejtpërdrejt me dosjen "Aruba", një operacion i përbashkët me agjencitë ligjzbatuese të disa vendeve evropiane, përfshirë Holandën, Belgjikën dhe Spanjën. Pikërisht informacionet e mbërritura nga këto shtete kanë shtyrë SPAK-un të zgjerojë hetimet edhe në Shqipëri, duke përqendruar vëmendjen te investimet në sektorin e ndërtimit, që konsiderohet një nga fushat me rrezikun më të lartë për pastrimin e parave.

Në muajin qershor, Prokuroria e Posaçme ndërmori një goditje të rëndësishme duke ekzekutuar masa sigurie ndaj disa biznesmenëve që dyshohet se kishin investuar në Shqipëri para të ardhura nga trafiku i drogës në Amerikën Latine. Sipas burimeve hetimore, një pjesë e këtyre kapitaleve dyshohet se janë orientuar drejt ndërtimit të kullave, resorteve turistike dhe projekteve të tjera me vlerë të lartë financiare.

Për këtë arsye, verifikimet nuk janë përqendruar vetëm te kompanitë private, por edhe te dokumentacioni që është administruar nga institucionet përgjegjëse për planifikimin dhe miratimin e zhvillimit të territorit. Dosjet e sekuestruara pritet t'i nënshtrohen një analize të detajuar për të verifikuar nëse procedurat janë ndjekur në përputhje me ligjin, nëse janë kryer kontrollet për burimin e financimit dhe nëse gjatë procesit ka pasur elementë që mund të përbëjnë vepra penale.

Në fokus të verifikimeve janë Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, institucione që në vitet e fundit kanë administruar dhe miratuar një numër të madh projektesh ndërtimi. Sipas të dhënave publike, gjatë shtatë viteve të fundit janë miratuar dhjetëra kulla në Tiranë dhe qindra leje ndërtimi përgjatë vijës bregdetare, duke e bërë këtë sektor një nga më të rëndësishmit për ekonominë, por njëkohësisht edhe një nga më të ekspozuarit ndaj dyshimeve për pastrim parash.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se SPAK nuk po kufizohet vetëm te dokumentacioni i AZHT-së dhe KKT-së. Analiza pritet të shtrihet edhe mbi praktikat e institucioneve të tjera që kanë pasur rol në miratimin e investimeve strategjike, regjistrimin e pronave dhe procedurat që kanë shoqëruar zhvillimin e projekteve me vlerë të lartë ekonomike.

Në këtë zinxhir institucional përfshihen Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, e drejtuar nga Adelina Greca, Korporata Shqiptare e Investimeve, e drejtuar nga Elira Kokona, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në krye të së cilës ndodhet Lorena Goxhobelli. Deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga SPAK që këta zyrtarë të jenë nën hetim apo të kenë status procedural në dosjen "Aruba", ndërsa sekuestrimi i dokumentacionit konsiderohet pjesë e procesit të verifikimit të provave.

Burimet bëjnë me dije se analiza e dosjeve të sekuestruara do të jetë vendimtare për hapat e mëtejshëm të hetimit. Nëse nga dokumentacioni do të evidentohen elementë që ngrejnë dyshime për shkelje penale, nuk përjashtohet mundësia që SPAK të thërrasë për deklarime zyrtarë, ish-zyrtarë, përfaqësues kompanish dhe persona të tjerë që kanë pasur rol në procedurat e miratimit të projekteve.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dokumentacioni i sekuestruar pritet të hedhë dritë mbi mënyrën se si janë miratuar disa nga projektet më të mëdha të ndërtimit në vend dhe nëse pas tyre fshihen skema të organizuara të pastrimit të parave. /Pamfleti

 

spak kkt

1 Komente

  1. x
    xhuxhi i rikthyer ne poste

    Artikuj per te mbajtur njerzit me gajret. Asgje nuk do te ndodhi!!!!!! Pse kush i jep lejet e ndertimit per kullat, shitesat e supermarketeve apo berberet? Kush ka detyrimin te verifikoje se me cfare parash ndertohen ato kulla te kushtueshme, per te cikat ndonjehere thuhet ::;uaaaa, si paska ndertuar dhe 7 kate pa leje ku...edhe ku pa, ne qender te Tiranes. Ketu, ceshtja e lejeve te ndertimit, parave qe perdoren, cmimet qe vendosen, taksat qe nuk paguajn ata qe kane nga 2 deri 300 apo me shume apartamente e tj , eshte shnderruar ne nje perepetum mobile, sic thuhet ne fizike. Prandaj....mos shpresoni. Te tere kane rene ne ujdi te heshtur!!!!

    Lini një Përgjigje