Autoritetet greke kanë vendosur masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e punonjësve nga temperaturat e larta që pritet të përfshijnë vendin të mërkurën, më 22 korrik.
Sipas Ministrisë së Punës, në disa rajone të Greqisë do të pezullohen punët fizike në ambiente të hapura nga ora 13:00 deri në 17:00, për shkak të rrezikut të lartë nga i nxehti.
Masa prek sektorë si ndërtimi, kantieret, punimet teknike dhe shpërndarjen e produkteve me mjete me dy rrota, përfshirë shërbimet e dërgesave (delivery). Restorantet dhe platformat e porosive mund të vazhdojnë aktivitetin vetëm nëse dërgesat kryhen me automjete të pajisura me sistem ftohjeje, ndërsa përdorimi i motoçikletave dhe skuterëve do të ndalohet gjatë orëve të kufizimit.
Përjashtim nga këto masa bëjnë shërbimet që konsiderohen jetike, si ato të shëndetësisë, furnizimit me ujë dhe energji elektrike, si edhe transporti ajror, detar dhe hekurudhor, me kusht që të zbatohen masat e nevojshme për mbrojtjen e punonjësve.
Ministria ka kërkuar gjithashtu që punonjësit që i përkasin grupeve me rrezik të lartë të kenë mundësi të punojnë nga shtëpia, në rastet kur kjo është e mundur.
Autoritetet kanë paralajmëruar se punëdhënësit që nuk respektojnë kufizimet e vendosura do të përballen me gjoba.
Lini një Përgjigje