TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Korrik 2026, 11:55

Protestuesit marshojnë drejt Komisariatit nr. 1, kërkojnë lirimin e Arben Kolës dhe të shoqëruarve

Shkruar nga Pamfleti

Protestuesit marshojnë drejt Komisariatit nr. 1, kërkojnë lirimin

Pas përfundimit të protestës para Kuvendit dhe marshimit në disa prej rrugëve të Tiranës, protestuesit janë zhvendosur drejt Komisariatit nr. 1 të Policisë, ku kërkojnë lirimin e organizatorit të protestës, Arben Kola, si edhe të personave të tjerë të shoqëruar gjatë tubimit.

Fillimisht, protestuesit u grumbulluan në sheshin "Skënderbej", përpara se të marshonin drejt komisariatit, ku kërkojnë informacion mbi gjendjen e të ndaluarve dhe lirimin e tyre.

Në duar, disa prej pjesëmarrësve mbanin qese me vezë dhe domate, të njëjtat sende që u përdorën edhe gjatë protestës së zhvilluar më herët para Parlamentit.

Tubimi i sotëm nisi përpara Kuvendit, ku pati momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të policisë. Disa qytetarë tentuan të çanin kordonin e sigurisë për t'iu afruar godinës së Parlamentit, por u ndaluan nga efektivët.

Gjatë përplasjeve u hodhën vezë në drejtim të policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën në disa raste spraj me lëndë irrituese për të shpërndarë turmën dhe për të mbajtur situatën nën kontroll.

Pas shoqërimit të Arben Kolës dhe disa protestuesve të tjerë, pjesëmarrësit në tubim vendosën ta vijojnë protestën përpara Komisariatit nr. 1, duke kërkuar lirimin e tyre dhe duke kundërshtuar veprimet e Policisë.

Lini një Përgjigje