Lamtumirë privatësi? Jeta në ambientet publike po hyn në epokën e "Big Brother".
Qeveria shqiptare ka nisur zyrtarisht zbatimin e projektit të shumëdebatuar të mbikëqyrjes digjitale "Smart City", i cili parashikon monitorimin e ambienteve publike, shkollave dhe rrugëve përmes një rrjeti prej rreth 5 mijë kamerash inteligjente. Projekti ka ngritur pikëpyetje mbi privatësinë e qytetarëve, sigurinë kibernetike dhe kostot e konsiderueshme të investimit.
Në hapin e parë të projektit, 20 shkollat më të frekuentuara në Tiranë janë pajisur me 600 kamera inteligjente. Sistemi u prezantua nga kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm dhe ministrja e Arsimit, gjatë një inspektimi në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit "Smart City".
Kryeministri deklaroi se teknologjia e re synon të forcojë sigurinë publike dhe ta çojë parandalimin e krimit në një nivel tjetër, veçanërisht për mbrojtjen e fëmijëve. Rama e lidhi drejtpërdrejt këtë investim me tragjedinë e ndodhur në shkollën "Fan Noli", duke e cilësuar projektin si përgjigjen institucionale ndaj asaj ngjarjeje. Ai shtoi se projekti përfaqëson një "reagim sistemi" ndaj tragjedisë.
"Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi në shkollën 'Fan Noli', e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë psikologjike me versionet e ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Ndërkohë Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe qeveria u vunë në shënjestër të spekulimeve, sajesave dhe fabrikimeve që zgjatën jo pak dhe torturuan familjarët dhe opinionin publik. Unë nuk e kam harruar. Ky projekt është përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie. Do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët mund të jenë potencialisht të rrezikuar, të mos kenë pasoja, sepse ky reagim sistemik do të lërë pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik. Do të mundësojë që parandalimi të ngrihet në një nivel tjetër", tha Rama.
Sistemi nuk kufizohet thjesht te kamerat e zakonshme, ai përfshin radarë me preçizion të lartë dhe sensorë inteligjentë zhurmash të shtrirë në 24 qytete kryesore, 28 pika të kalimit kufitar dhe fillimisht në 20 shkolla të Tiranës. Përmes një qendre të re të komandës dhe kontrollit, softueri i fuqizuar nga inteligjenca artificiale përpunon në pak sekonda gigabajt të tëra informacioni, imazhe dhe audio nga 873 lokacione operative. Synimi i qeverisë është që brenda 12 muajve të ardhshëm e gjithë Shqipëria të jetë nën monitorim të drejtpërdrejtë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Teksa qeveria e paraqet "Smart City" si një projekt që synon rritjen e sigurisë publike, menaxhimin inteligjent të trafikut dhe përmirësimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit për reagim në kohë reale, pas kësaj fshihen rreziqe të tjera.
Projekti ka hapur një debat të fortë publik. Organizata dhe ekspertë të fushës së privatësisë dhe sigurisë kibernetike kanë ngritur shqetësime se Shqipëria po hyn në një fazë të re të mbikëqyrjes digjitale, ku mijëra kamera do të monitorojnë vazhdimisht lëvizjet e qytetarëve në hapësirat publike.
Përveç çështjeve që lidhen me privatësinë, janë ngritur pikëpyetje edhe për sigurinë e të dhënave që do të grumbullohen nga sistemi, nivelin e mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike, transparencën mbi administrimin e informacionit. Duke marrë parasysh këtu faktin se vendi ynë është sulmuar disa herë nga hakerat dhe të dhënat e qytetarëve kanë dalë në treg të zi, kjo nismë rrit rrezikun e hakërrimit të këtyre kamerave nga faktorë të jashtëm, të cilit do të paguanin miliona që të kishin akses në to. Duke nisur nga grupet kriminale, te vendet armike dhe faktorë të tjerë./Pamfleti
Lini një Përgjigje