Thinking Machines Lab, kompania e themeluar nga ish-drejtoresha e teknologjisë së OpenAI, Mira Murati, ka prezantuar modelin e saj të parë të inteligjencës artificiale me përdorim të përgjithshëm, duke u bazuar në disa teknologji të zhvilluara nga kompani kineze.
Sipas “Financial Times”, modeli i ri i quajtur Inkling është ndërtuar mbi arkitekturën e DeepSeek-V3 dhe është përmirësuar pas fazës fillestare të trajnimit me të dhëna të krijuara nga modeli Kimi K2.5 i kompanisë kineze Moonshot AI.
Lançimi i Inkling vjen në një periudhë kur laboratorët kinezë të inteligjencës artificiale po rrisin ndikimin e tyre në garën globale të teknologjisë. Sipas platformës OpenRouter, modelet kineze të AI kanë tejkaluar gjatë këtij viti modelet amerikane për sa i përket përdorimit të përgjithshëm.
Ndryshe nga modelet më të avancuara të kompanive si OpenAI dhe Anthropic, Inkling do të jetë një model me “open-weight”, që do të thotë se përdoruesit do të kenë mundësi ta instalojnë në serverët e tyre dhe ta përshtatin sipas nevojave specifike.
“Sot po avancojmë misionin tonë duke publikuar një model që e kemi trajnuar nga e para, me të gjitha peshat e disponueshme, në mënyrë që njerëzit ta bëjnë të tyrin”, deklaroi kompania.
Thinking Machines Lab ka arritur një vlerësim prej 12 miliardë dollarësh vetëm një vit pas sigurimit të 2 miliardë dollarëve financim fillestar. Në mesin e investitorëve të saj janë emra të mëdhenj të industrisë së teknologjisë, përfshirë Andreessen Horowitz, Nvidia, AMD dhe fondin Jane Street.
Mira Murati u bë një nga figurat më të njohura të industrisë së inteligjencës artificiale gjatë periudhës kur drejtoi zhvillimin e produkteve si ChatGPT, DALL-E dhe funksionet zanore të OpenAI. Ajo u largua nga kompania në shtator 2024 dhe themeloi Thinking Machines Lab në shkurt të vitit pasues.
Megjithatë, pavarësisht vëmendjes së madhe që ka marrë kompania e re, ajo është përballur edhe me disa sfida. Gjatë këtij viti, disa drejtues të lartë u larguan për t’iu bashkuar kompanive si Meta dhe OpenAI, ndërsa janë ngritur edhe diskutime mbi stilin drejtues të Muratit.
Përveç Inkling, kompania po zhvillon edhe platformën Tinker, e cila synon t’u mundësojë bizneseve personalizimin e modeleve të mëdha gjuhësore sipas kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje