TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Mars 2026, 10:16

Zgjedhjet në Hungari/ E djathta ekstreme europiane rreshtohet pas Viktor Orbanit

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet në Hungari/ E djathta ekstreme europiane rreshtohet pas Viktor
Viktor Orban dhe liderët e së djathtës ekstreme

Marine Le Pen, Geert Wilders dhe figura të tjera nacionaliste europiane vlerësuan kryeministrin hungarez në një aktivitet në Budapest, ndërsa sondazhet tregojnë se ai mund të humbasë zgjedhjet parlamentare të 12 prillit…

Marine Le Pen e cilësoi Viktor Orbanin si “një udhëheqës të jashtëzakonshëm”, ndërsa Geert Wilders e quajti “një luan në një kontinent të drejtuar nga dele”, teksa drejtues të së djathtës së skajshme në Europë u mblodhën në Budapest për t’i dhënë mbështetje kryeministrit hungarez përpara zgjedhjeve që, sipas sondazheve, ai mund t’i humbasë.

Në një takim të liderëve euroskeptikë të mbajtur të hënën në Budapest, Le Pen, udhëheqëse parlamentare e Tubimit Kombëtar (RN) në Francë, deklaroi se “Hungaria është bërë simbol në Europë i qëndresës së një populli krenar dhe sovran kundër shtypjes”.

Ajo shtoi se Hungaria e ka arritur këtë status “nën drejtimin e askujt tjetër veç kryeministrit Viktor Orban”. Le Pen, e cila konsiderohet një prej emrave kryesorë për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027 nëse fiton apelimin ndaj një dënimi për korrupsion, vlerësoi “inteligjencën, guximin dhe vizionin” e Orbanit, raporton The Guardian.

Edhe Geert Wilders, drejtues i Partisë për Lirinë (PVV) në Holandë, tha në të ashtuquajturën “Asambleja e Madhe e Patriotëve”, e emërtuar sipas grupit politik të nacionalistëve në Parlamentin Europian, se Orbáni “ka treguar çfarë do të thotë të qëndrosh drejt”.

Sipas Wildersit, kryeministri hungarez “e di se detyra e parë e një lideri është ndaj popullit të vet, jo ndaj elitave të largëta dhe sigurisht jo ndaj burokratëve të pazgjedhur të Brukselit”. Ai tha gjithashtu se Hungaria është bërë “diçka e jashtëzakonshme” gjatë 16 viteve të Orbanit në pushtet dhe pretendoi se burokratët e Brukselit duan një kryeministër tjetër, “që përkulet, bindet dhe nuk vendos Hungarinë të parën”.

Orbani prej kohësh përplaset me Bashkimin Europian për çështje të ndryshme, përfshirë akuzat për cenim të shtetit të së drejtës. Në kundërshtim me Brukselin, ai ka ruajtur marrëdhënie të afërta me Moskën, kundërshton dërgimin e armëve në Ukrainë dhe insiston se Kievi nuk duhet të anëtarësohet në BE.

Në fushatën aktuale, Orbani po përdor një strategji tipike populiste. Ai argumenton se një votë për të do ta mbajë Hungarinë “një ishull sigurie dhe qetësie”, ndërsa fitorja e rivalit të tij, Peter Magyar, të cilin ai e paraqet si agjent të Brukselit dhe Kievit, do të sillte kaos dhe luftë.

Megjithatë, sondazhet tregojnë se Magyar, i qendrës së djathtë, dhe partia e tij Tisza mund ta kalojnë Fideszin e Orbánit me 9 deri në 11 pikë përqindjeje në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit. Ky votim pritet të jetë një nga më përcaktuesit për Europën gjatë këtij viti.

Në konferencën konservatore CPAC Hungary, të mbajtur gjatë fundjavës në Budapest, morën pjesë figura të tjera të së djathtës si Santiago Abascal i Vox-it spanjoll, André Ventura i Chega-s portugeze dhe Mateusz Morawiecki i partisë polake Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Të hënën atyre iu bashkuan Le Pen, Wilders, Matteo Salvini i Lega-s italiane dhe të tjerë. Salvini tha se beson që votuesit hungarezë do të vendosin “me krenari dhe duke pasur parasysh interesat e Hungarisë” në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Sipas Salvinit, zgjedhja e tyre do të ketë të bëjë me “ruajtjen e vetëvendosjes, identitetit të krishterë mijëravjeçar, familjeve hungareze, kufijve të sigurt dhe një të ardhmeje ku fëmijët e tyre do të mund të vendosin vetë”.

Ai shtoi se Budapesti nuk duhet të bëhet një kryeqytet “i bindur ndaj Brukselit” dhe se Hungaria duhet “të mbetet krenare dhe në kontroll të fatit të saj”, përpara se turma të niste thirrjet “Viktor, Viktor, Viktor!”.

Të shtunën, edhe Donald Trump i dha mbështetje Orbánit. Në një mesazh video për konferencën CPAC, ai e quajti kryeministrin hungarez, i cili sipas sondazheve ndodhet pas Magyarit prej më shumë se një viti, “një njeri fantastik”.

Trump, i cili e kishte mbështetur Orbánin edhe muajin e kaluar në rrjetet sociale, tha se ai ka qenë një lider i fortë që “i ka treguar botës se çfarë është e mundur kur mbron kufijtë, kulturën, trashëgiminë, sovranitetin dhe vlerat e tua”. Ai shtoi: “Shpresoj të fitojë, dhe shpresoj të fitojë bindshëm”.

Raportime të mëparshme në media sugjeronin se në takimin e Budapestit do të merrte pjesë edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance. Megjithatë, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, tha javën e kaluar se vizita e Vance do të zhvillohet në fillim të prillit.

 

orban hungari zgjedhje

Lini një Përgjigje