Në takim pritet të diskutohen çështje kyçe të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, ndërsa vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është e fokusuar te rezultatet e këtij takimi...
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në klubin Mar-a-Lago të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Palm Beach të Floridës, për bisedime me rëndësi të lartë mbi paqen. Udhëheqësi ukrainas u prit nga Trump me një shtrëngim duarsh përpara se të hynte në rezidencën në stilin mesdhetar të Mar-a-Lago-s.
Duke folur përkrah Zelenskyt jashtë shtëpisë së tij në Mar-a Lago, Trump tha se beson që Putin është "serioz për paqen".
"Shumë njerëz kanë vdekur dhe mendoj se të dy presidentët duan të bëjnë një marrëveshje. Unë besoj se kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje që është e mirë për Ukrainën, e mirë për të gjithë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme”, tha Trump.
Më tej ai shtoi se do të ketë një marrëveshje “të fortë” sigurie për Ukrainën dhe se kombet evropiane janë shumë të përfshira.
"Mendoj se kombet evropiane kanë qenë vërtet të shkëlqyera dhe janë shumë dakord me këtë takim dhe me arritjen e një marrëveshjeje. Ata janë të gjithë njerëz të mrekullueshëm", tha presidenti amerikan.
Përpara se dy udhëheqësit të ktheheshin për të hyrë në ndërtesën pas tyre, Trump u tha gazetarëve se besonte se një fund "i shpejtë" i luftës është në plan.
"Ose do të mbarojë, ose do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe miliona njerëz të tjerë do të vdesin. Dhe askush nuk e dëshiron këtë. Unë besoj se mund të lëvizim shumë shpejt", përfundoi ai.
Ndërkohë që më herët Trump kishte bërë me dije më parë se bisedimet do të zhvilloheshin në dhomën e ngrënies, një hapësirë e zbukuruar me korniza dhe murale, duke i dhënë takimit një atmosferë formale, por të ngrohtë.
Në takim pritet të diskutohen çështje kyçe të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, ndërsa vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është e fokusuar te rezultatet e këtij takimi.
Ndërkohë ndihmësi i Kremlinit Yuri Ushakov, ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin dhe Donald Trump kanë rënë dakord të flasin sërish pas takimit me Zelenskyn. Gjithashtu mësohet se Putini u pajtua me propozimin e Trumpit për të krijuar grupe pune posaçërisht të dedikuara për sigurinë dhe ekonominë, për të vazhduar punën për një zgjidhje paqësore.
Lini një Përgjigje