Emiratet e Bashkuara Arabe u përpoqën të bindnin Arabinë Saudite, Katarin dhe shtete të tjera të Gjirit që të koordinonin një përgjigje ushtarake ndaj sulmeve iraniane me raketa dhe dronë gjatë luftës së fundit, por iniciativa nuk mori mbështetjen e fqinjëve të tyre. Kështu raportoi Bloomberg, duke cituar burime të njohura me zhvillimet.
Sipas raportit, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan (MBZ), zhvilloi biseda telefonike me disa liderë rajonalë, përfshirë princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman, menjëherë pasi Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt.
Burimet thanë se MBZ argumentoi se një reagim i koordinuar ishte i domosdoshëm për të penguar Iranin dhe për të forcuar sigurinë rajonale. Megjithatë, Arabia Saudite dhe Katari nuk pranuan të përfshiheshin në një operacion të përbashkët ushtarak.
Raporti thekson se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ishte në dijeni të propozimit të Emirateve dhe kishte ushtruar presion diplomatik ndaj Riadit dhe Dohas për t’u bashkuar me planin.
Refuzimi i vendeve të Gjirit, sipas Bloomberg, përkeqësoi marrëdhëniet mes Abu Dhabit dhe Riadit, të cilat tashmë kishin hyrë në një fazë tensioni. Raporti e lidh këtë klimë edhe me largimin e Emirateve nga OPEC dhe OPEC+ në fund të prillit, si dhe me afrimin më të madh të tyre me Izraelin.
MBZ thuhet se kishte kujtuar gjatë kontakteve me liderët rajonalë se Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) ishte themeluar në vitin 1981 pikërisht si përgjigje ndaj kërcënimit të perceptuar nga Revolucioni Islamik iranian i vitit 1979.
Pavarësisht mungesës së koordinimit rajonal, Emiratet e Bashkuara Arabe kryen disa sulme të kufizuara ndaj objektivave iraniane gjatë marsit dhe prillit, sipas burimeve të cituara në raport.
Gjatë konfliktit, Emiratet rezultuan ndër vendet më të goditura nga Irani. Teherani lëshoi afro 3 mijë dronë dhe qindra raketa drejt territorit emiratas përpara arritjes së armëpushimit.
Javën e kaluar, Irani goditi edhe portin strategjik të Fujairahut pranë Ngushticës së Hormuzit, një nyje kyçe për eksportin e naftës.
Raporti shton se Arabia Saudite ndërmori sulme të pavarura ndaj Iranit në mars, pa koordinim me Emiratet. Më vonë, Riadi ndryshoi qasje dhe mbështeti përpjekjet ndërmjetësuese të Pakistanit mes SHBA-së dhe Iranit.
Ndërkohë, Katari shqyrtoi mundësinë e një reagimi ushtarak pasi Irani goditi kompleksin Ras Laffan, uzinën më të madhe të gazit natyror të lëngshëm në botë. Megjithatë, Doha vendosi të mos përshkallëzojë konfliktin dhe të përqendrohet te përpjekjet për uljen e tensioneve.
Bahreini dhe Kuvajti, tradicionalisht të afërt me Arabinë Saudite në politikën e jashtme dhe mbrojtje, gjithashtu shmangën çdo përfshirje ushtarake. Ndërsa Omani, për shkak të marrëdhënieve më të afërta me Teheranin, nuk konsiderohej një partner i mundshëm në një aleancë kundër Iranit.
Lini një Përgjigje