Rreth 200 ushtarë rusë janë trajnuar fshehurazi në Kinë gjatë fundit të vitit 2025 dhe një pjesë e tyre janë rikthyer më pas në frontin e luftës në Ukrainë, raportoi Reuters duke cituar tri agjenci europiane të inteligjencës dhe dokumente të siguruara nga kjo media.
Sipas raportit, trajnimet janë zhvilluar në baza ushtarake kineze në Pekin dhe në qytetin lindor Nanjing, në kuadër të një marrëveshjeje dygjuhëshe ruso-kineze të nënshkruar më 2 korrik 2025 nga zyrtarë të lartë ushtarakë të dy vendeve.
Dokumentet e shqyrtuara nga Reuters tregojnë se programi i trajnimit ishte fokusuar kryesisht në përdorimin e dronëve, luftën elektronike, aviacionin ushtarak dhe operacionet e këmbësorisë së blinduar. Marrëveshja parashikonte gjithashtu trajnim të trupave kineze në Rusi.
Burimet europiane të inteligjencës thanë se disa nga ushtarët rusë të trajnuar në Kinë janë identifikuar më pas në operacione luftarake me dronë në rajonet e pushtuara të Krimesë dhe Zaporizhias. Sipas tyre, në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe instruktorë ushtarakë rusë me grada nga rreshter deri në nënkolonel.
Reuters raportoi se trajnimet përfshinin përdorimin e simulatorëve të fluturimit, dronëve FPV, armëve për luftë elektronike kundër dronëve dhe sistemeve për neutralizimin e tyre me rrjeta speciale. Në një nga raportet e brendshme ruse përmendet edhe trajnim për përdorimin e mortajave të koordinuara me mjete ajrore pa pilot.
Ministritë e Mbrojtjes së Rusisë dhe Kinës nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për koment mbi detajet e raportit.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme kineze deklaroi se Pekini “ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim objektiv dhe të paanshëm për krizën në Ukrainë” dhe se Kina vazhdon të mbështesë bisedimet për paqe.
Lajmi publikohet në prag të vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Pekin, ku pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve janë thelluar ndjeshëm që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Lini një Përgjigje