Presidenti Aleksandër Vuçiç ka ironizuar sanksionimin e SHBA-ve ndaj ish ministrit të brendshëm, Aleksandër Vulin. Presidenti serb kërkon të kryhet një hetim më i thelluar për këtë çështje ndërsa përmendi rastin e kokainës në Shtëpinë e Bardhë, për të ironizuar akuzën e trafikut të drogës nga SHBA për Vulin.
"Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim", tha Vuçiç, në reagimin e tij të parë pasi SHBA vendosi sanksione ndaj Vulinit.
Një ditë më parë Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit tha se Vulini është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
I pyetur nëse Vulin do të shkarkohet si Drejtor i Shërbimeve të Inteligjencës serbe, Vuçiç u rezervua dhe nuk dha një përgjigje konkrete. Ai tha se për sanksionet ndaj Vulinit dhe qëndrimin e Serbisë do t’i flasë “nesër, në detaje”. Sipas tij qëndrimi i SHBA-ve ndaj Vulin nuk vjen prej akuzave për korrupsion apo për krim të organizuar por për mbështetjen e tij pa filtra për Federatën Ruse.
“Vulin, ndaj tij nuk janë vendosur sanksione për ndonjë krim, korrupsion, asgjë; ndaj tij janë vendosur sanksione për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiç.
Një pjesë e opozitës në Serbi kërkoi shkarkimin e Vulin pas sanksioneve amerikane. Vulin, presidenti i Partisë Socialiste, e cila është një partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet, u vendos në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në dhjetor të vitit 2022. Drejtorin e Agjencisë e emëron dhe e shkarkon Qeveria.
Ish ministri i Brendshëm serb, Aleksandët Vulin u fut dje në listën e zezë të sanksioneve amerikane. Vulin, aktualisht Drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion në Serbi akuzohet nga Uashingtoni si i përfshirë në krimin e organizuar dhe në aferat korruptive. Për këtë vendim një pjesë e opozitës serbe ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Vulinit nga drejtimi i BIA-s.
Vulin është përfshirë në krim të organizuar duke mbajtur raporte e përfitim reciprok me trafikantin e armëve, Sllobodan Teshiç, duke mundësuar që dërgesat me armë të tij të mund të lëvizin lirshëm përtej kufijve të Serbisë. Teshiç është në listën e zezë amerikane që nga viti 2017.
Lini një Përgjigje