TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Korrik 2023, 08:39

Despoti Putin me “dhimbje koke”, si SHBA po përshpejton fundin e luftës në Ukrainë!

Shkruar nga Pamfleti
Despoti Putin me “dhimbje koke”, si SHBA po përshpejton fundin
Vladimir Zelensky

Pavarësisht të metave, zyrtarët ushtarakë dhe analistët shprehen se avantazhet e DPICM-ve në Ukrainë janë shumë më të mëdha se të metat e tyre.

Mark Hertling ishte duke komanduar një disa automjete të blinduara në Irak kur dëgjoi një sërë goditjesh të forta lart.

Ishin pesë bomba thërrmuese, të të njëjtit lloj që SHBA autorizoi javën e kaluar për t’i dërguar në Ukrainë. Gjenerali amerikan tashmë në pension e kujton atë moment si të tmerrshëm në vitin 1991.

Hertling, i cili u nderua me medaljen “Purple Heart”, nxori njerëzit e tij të plagosur dhe beson se njësia e tij u kap nga zjarri gjatë operacionit” Stuhia e Shkretëtirës”.

Incidenti theksoi fuqinë shkatërruese të bombave thërrmuese ose municioneve konvencionale me qëllime të dyfishta.

Të gjuajtura nga raketahedhës, DPICM hedhin granata të vogla ose bomba në një zonë të gjerë ku ato mund të mbeten të pashpërthyera për dekada pas përfundimit të konfliktit. Kjo trashëgimi vdekjeprurëse dhe efekti shkatërrues që ka pasur mbi civilët, është arsyeja pse shumë vende i shmangin.

Po ashtu këto “efekte të zonës” i bëjnë DPICM-të një armë të frikshme. Këto armë mund t’i japin Kievit një shtysë të fortë, pasi kundërofensiva e tij po çalon kundër linjave mbrojtëse të ndërtuara mirë të forcave ruse.

Ukraina është shprehur se trupat e saj kanë vetëm 100 mijë fishekë në muaj, një e katërta e asaj që po përdorin rusët. SHBA-të kanë rreth 3 milionë raunde DPICM të ruajtura në bazat e SHBA-ve dhe aleatëve në Evropë.

“Ne duam të sigurohemi që ukrainasit të kenë artileri të mjaftueshme për t’i mbajtur ata në luftë”, ka thënë javën e kaluar Colin Kahl, nënsekretari amerikan i mbrojtjes për politikën.

“Kjo për t’u siguruar që ukrainasit kanë atë që u nevojitet, por sinqerisht, edhe që rusët ta dinë se ukrainasit do të qëndrojnë në lojë”, ka shtuar ai.

Çdo DPICM mund të lëshojë deri në 88 bomba në një zonë me madhësinë e një fushe futbolli, duke i bërë ato veçanërisht efektive kundër trupave dhe artilerisë në ambient të hapur.

Gjithashtu ofrojnë zjarr shtypës që ndalon armikun të përdorë armët e tyre, të cilat mund të ndihmojnë xhenierët ukrainas të pastrojnë fushat e dendura të minave që mbrojnë linjat mbrojtëse ruse.

“Forcat e Ukrainës duhet të krijojnë boshllëqe në mbrojtjen ruse, në mënyrë që të mund të kalojnë me formacione të blinduara”, ka thënë Ben Hodges, një ish-komandant i forcave të armatosura amerikane në Evropë.

Municionet thërrmuese kanë një histori të errët

Ata hynë në prodhimin masiv gjatë Luftës së Ftohtë, kur ishin projektuar për bombardimin në shkallë të gjerë të tankeve dhe formacioneve të këmbësorisë sovjetike. Por gjithashtu janë përdorur pa dallim kundër civilëve. U përdorën gjatë luftës civile spanjolle në territorin republikan në Guernica dhe përsëri në Luftën e Dytë Botërore kur avionët gjermanë hodhën të tilla në Britani.

Në dekadat në vijim, SHBA-të i vendosën ato në Vietnam dhe në Laos, Mbretëria e Bashkuar në betejën e saj për Ishujt Falkland kundër Argjentinës dhe Serbia kundër Kroacisë.

Një nga dislokimet e tyre më të tmerrshme erdhi në vitin 2006 në Libanin jugor, kur Izraeli besohet të ketë dislokuar më shumë se 2 milionë nën-municione. Dhe 60 për qind të rasteve, ato bomba u ulën pranë zonave të banuara.

Përdorimi i tyre gjatë atij konflikti ndihmoi në ndërtimin e vrullit për një konventë të vitit 2008 për ndalimin e këtyre armëve, të ratifikuar nga 111 shtete, por jo nga Rusia, Ukraina, SHBA-të dhe disa anëtarë të NATO-s.

“Municionet thërrmuese janë një armë pa dallim”, është shprehur Anna Macdonald, ish-shefe e kontrollit të armëve në Oxfam dhe një aktiviste kryesore pas konventës.

“Është një armë që është përqeshur gjerësisht, duke përfshirë edhe ekspertët ushtarakë”, ka shtuar ajo.

Zyrtarët ushtarakë dhe analistët pranojnë se DPICM-të mund të jenë më pak efektive kundër trupave të gërmuara në llogore të thella.

Por ato kanë më shumë ndikim në raste të tilla sesa predhat konvencionale.

Shkalla e dështimit të bombave thërrmuese të prodhuara në SHBA është 2.4 për qind, krahasuar me 30-40 për qind për modelet ruse, sipas zyrtarëve të mbrojtjes amerikane.

Bombat e pashpërthyera mund të jenë gjithashtu një kërcënim për trupat miqësore që kërkojnë të manovrojnë në zonat ku janë qëlluar.

Hodges, i cili ishte komandant brigade gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003, kujton se si një fushë ajrore që ai kishte për detyrë të merrte, u bombardua nga municionet thërrmuese të SHBA-ve.

Paçka të metave, zyrtarët ushtarakë dhe analistët kanë thënë se avantazhet e DPICM-ve në Ukrainë janë shumë më të mëdha se të metat e tyre.

Së pari, theksojnë se Kievi tani po lufton vetë formacionet ruse kundër të cilave u krijuan DPICM-të – dhe se Moska ka vendosur bombat e veta thërrmuese që kur pushtoi Ukrainën në vitin 2022.

“Ata që shtrëngojnë duart për vendimin e SHBA-ve duhet të pyesin veten pse aleatët e NATO-s si Estonia, Letonia, Polonia, Finlanda dhe Rumania nuk e kanë nënshkruar konventën. Kjo është për shkak se këto municione funksionojnë kundër ushtrive të stilit rus”, ka thënë John Foreman, atasheu më i fundit i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar në Moskë.

Thuhet se Turqia se tashmë e ka furnizuar Ukrainën me municione thërrmuese dhe këto janë përdorur pa ndonjë incident të raportuar të zjarrit miqësor.

Ukraina i ka dhënë garanci me shkrim administratës së Joe Biden-it për të përdorur DPICM rreptësisht jashtë zonave urbane dhe për të mbajtur shënime se ku janë gjuajtur, duke i dhënë përparësi atyre zonave për çminim.

Kievi gjithashtu do t’u raportojë aleatëve të tij për efektivitetin e tyre.

“Është e rëndësishme të theksohet se Federata Ruse ka përdorur pa dallim municione thërrmuese që nga dita e parë e agresionit të paprovokuar në shkallë të gjerë”, ka thënë ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov.

Megjithatë, faktori kryesor, ishte se sigurimi i DPICM-ve i lejoi Ukrainës të vazhdonte kundërsulmimin e saj dhe të minimizonte viktimat ukrainase.

Po ashtu i ofrojnë një fund më të shpejtë të luftës, sipas analistëve.

Nëse aleatët e Kievit do të kishin rritur më herët prodhimin e predhave të artilerisë dhe do t’i jepnin Ukrainës sisteme të avancuara të armëve, si avionët luftarakë, nuk do të kishte nevojë urgjente që ajo të përdorte DPICM tani.

“Ne kemi nevojë për më shumë sisteme dhe kemi nevojë për shumë më shumë municion artilerie”, ka thënë një këshilltar ushtarak ukrainas.

“Përfundimisht Ukraina do të fitojë. Pyetja e vetme është se sa prej nesh vdesin të parët”, ka shtuar ai./Marrë nga "Financial Times”, përshtati “Pamfleti”.

 

shba ukraina rusia bombat therrmuese

Lini një Përgjigje