TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Janar 2026, 10:40

Vrasja e një gruaje nga një agjent federal, dhjetëra mijëra njerëz protestojnë në Minneapolis

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e një gruaje nga një agjent federal, dhjetëra mijëra
Protestat në Minneapolis

Dhjetëra mijëra njerëz marshuan nëpër rrugët e sheshet e Minneapolis të shtunën në shenjë proteste për vrasjen e një gruaje nga një agjent i imigracionit amerikan.

Pjesëmarrja masive në Minneapolis pavarësisht motit të keq, tregon se të shtënat fatale ndaj 37-vjeçares Renee Good nga një oficer i Zbatimit të Imigracionit dhe Doganave, ngjarje e ndodhur të mërkurën, kanë prekur “vijën e kuqe”, duke nxitur protesta në qytete të mëdha dhe disa qyteza.

Udhëheqësit demokratë të Minesotës dhe administrata e Presidentit Donald Trump, kanë ofruar versione krejtësisht të ndryshme të incidentit.

Turma e zhurmshme, të cilën Departamenti i Policisë së Minneapolis e vlerësoi në dhjetëra mijëra, brohoriti emrin e Good dhe slogane të tilla si "Hiqni ICE-në" dhe "Pa drejtësi, pa paqe, largojeni ICE-në nga rrugët tona".

"Jam jashtëzakonisht e zemëruar, plotësisht me zemër të thyer dhe e shkatërruar, dhe pastaj thjesht dëshiroj dhe shpresoj që gjërat të përmirësohen", tha për Reuters, Ellison Montgomery, një protestuese 30-vjeçare.

Zyrtarët e Minesotës i kanë quajtur të pajustifikuara të shtënat, duke iu referuar videos së një kalimtari që ata thonë se tregon automjetin e Good duke u larguar nga agjenti ndërsa ai qëllonte. Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr ICE-në, ka pohuar se agjenti veproi në vetëmbrojtje sepse Good, një vullnetare në një rrjet komunitar që monitoron dhe regjistron operacionet e ICE-së në Minneapolis, shkoi përpara në drejtim të agjentit i cili më pas e qëlloi atë, pasi një agjent tjetër i ishte afruar nga ana e shoferit dhe i kishte thënë të dilte nga makina.

Të shtënat e së mërkurës ndodhën menjëherë pasi rreth 2,000 oficerë federalë u dërguan në zonën Minneapolis-St. Paul në atë që DHS e ka quajtur operacionin e saj më të madh, duke thelluar një përçarje midis administratës dhe udhëheqësve demokratë në shtet.

Tensionet federale-shtetërore u përshkallëzuan më tej të enjten kur një agjent i Patrullës Kufitare Amerikane në Portland, Oregon, qëlloi dhe plagosi një burrë dhe një grua në makinën e tyre pasi një automjet u përpoq të ndalonte. Duke përdorur një gjuhë të ngjashme me përshkrimin e incidentit në Minneapolis, DHS tha se shoferi ishte përpjekur ta “armatoste” automjetin e tij dhe të shtypte agjentët.

Dy të shtënat e lidhura me DHS-në nxitën një koalicion grupesh progresive dhe të të drejtave civile, përfshirë Indivisible dhe Unionin Amerikan të Lirive Civile, të planifikonin më shumë se 1,000 ngjarje nën moton "ICE Out For Good" të shtunën dhe të dielën.

Tubimet janë planifikuar të mbarojnë para perëndimit të diellit për të minimizuar potencialin për dhunë.

protesta mineapolis vrasje

Lini një Përgjigje