Kur pyes një oligark rus me banim në Londër, se çfarë mendon se do të ndodhë pas Putinit, ai përgjigjet thjesht: ”Pas Putinit, do ketë më shumë Putinë!”
Në muajin mars, 100 milionë rusë dhe 6 milionë të tjerë që jetojnë në territorin e pushtuar në Ukrainë provuan sesi duket demokracia e stilit të Vladimir Putinit, e cila është siç e thotë një proverb rus është “zgjedhje, pa zgjedhje”.
Ndjenja e pashmangshmërisë së rezultatit, krahas përqendrimit thuajse total të pushtetit në Kremlin, nënkuptonte se opozitës i ishte dhënë tashmë një goditje vdekjeprurëse. Emblematik ishte rasti i Alexei Navalny-t, disidentit karizmatik që vdiq nga shkaqe misterioze në një burgu në Arktik në muajin shkurt.
Dhe frikësimi ndaj opozitarëve po vazhdon të përhapet. Aleati i ngushtë i Navalny-t, Leonid Volkov u sulmua javën e kaluar me një çekiç në Lituani, përmes një akti që ai e quajti një “përshëndetje gangsterësh nga Kremlini, dhe që donte të bënte salçiçe me mua”.
Por çfarë na thotë kjo gjendje e zymtë e një vendi të madh, mbi mendjen dhe gjendjen shpirtërore të një njeriu, që u ngjit nga rrëmuja i politikës së Shën Petersburgut në Kremlin në vitin 2000, dhe karrierën e të cilit e kam parë nga afër që nga vitet e fundit të Boris Yelstin, kur Putin e përdori kaosin politik dhe ekonomik për të arritur në postin e lartë si një “qyqe në folenë e saj”, siç e tha dikur një aleat i Yelstin?
Çerek shekulli më vonë, Rusia është nën kontrollin e tij të rreptë, dhe tani po vjen një fazë e re agresioni të hapur ndaj vendeve të tjera. Prejardhja e Putin nga KGB-ja, dhe një personaliteti i prirur ndaj dyshimeve, nënkupton se ai është i tërhequr nga doktrinat e pushtetit ”fuqia bën të drejtën”.
Po ashtu, ai harxhon shumë orë duke lexuar veprat e mendimtarëve rusë, që reklamojnë tezën e “Eurazisë”, e cila përshkruan siç thotë Putin “një qytetërim unik dhe një fuqi të madhe euroaziatike e euro-paqësore”. Kjo është ndjenja e madhështinë, që tani mbështet pikëpamjen e Putinit mbi Rusinë si një vend i jashtëzakonshëm.
Por ambiciet e tij ndërkombëtare, janë në kontrast të thellë me rrethin e tij të ngushtë në vend.
Njerëzit më besnikë rreth presidentit janë Igor Sechin, i cili drejton kompaninë e madhe të naftës Rosneft, dhe Nikolai Patrushev, ish-kreu i agjencisë së spiunazhit FSB, sot sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, anti-amerikanizmi i të cilit thuhet se e tejkalon edhe paranojën në rritje të Putinit.
Ashtu si Putin, edhe Patrushev është pjesë e gardës së vjetër të KGB-së, bashkë me Sergei Naryshkin, kreun e agjencisë ruse të inteligjencës së jashtme, SVR. Por lufta në Ukrainë ka treguar se edhe këto lidhje mund të prishen papritur. Putin kënaqet shpesh duke poshtëruar publiklisht zyrtarët e tij të lartë, nëse ata distancohen nga qasja e tij, apo nëse dëshirat e tij dëshmohen si të vështira për t’u përmbushur.
Diçka e tillë ndodhni me Naryshkin në një seancë dëgjimore publike në vitin 2022. Ai takim i sikletshëm, synonte të tregonte se asnjë titull apo rekord, nuk mjafton për të garantuar paprekshmërinë. Bota e Putinit është kryesisht bota e një njeriu.
Në seancat rutinë të zyrtarëve të lartë dhe video-telefonatat televizive me shefat e rajoneve, shohim burra, nga 60 vjeç deri në mesin e të 70-ave, që janë në garë me njëri-tjetrin se kush e lavdëron më shumë liderin 71-vjeçar. Gratë shihen si të dobishme për qëllime propagandistike.
Më e spikatura është Margarita Simonyan, një mbështetëse e fortë e Kremlinit, e cila u bë kryeredaktore e televizionit shtetëror Russia Today, dhe që tani është propaganduese kryesore në kanalet kryesore televizive ruse. Siç thuhet në një raport të Departamentit të Shtetit ajo “i servir gënjeshtrat si të vërteta, shoqëruar me një buzëqeshje”.
Një pjesë e mitologjisë mbi Putinin, është se ai është aq shumë i përkushtuar ndaj punës, saqë, duke lënë mënjanë imazhet e tij të koreografuara me kujdes hipur mbi kalë, duke notuar ose duke luajtur hokej mbi akull, ka pak kohë për një jetë sociale ose miqësi të vërteta.
Aleancat personale, datojnë që nga koha kur ishte ndihmës i kryebashkiakut të fuqishëm e të korruptuar të Shën Petersburgut, Anatoly Sobchak. “Banda e Shën Petersburgut” qëndron në krye të nomenklaturës. “Miq” të tjerë të vjetër, janë të lidhur ngushtë në marrëdhënie financiare, si vëllezërit miliarderë Boris dhe Arkady Rotenberg.
Jeta e tij personale ruhet me fanatizëm. Putin thuhet se ka qenë në një lidhje me ish-gjimnasten olimpike Alina Kabaeva që nga viti 2008, edhe pse mbeti i martuar me gruan e tij të dytë Lyudmila Ocheretnaya deri në vitin 2014. Sipas një profesori të gjuhësisë dhe dialekteve, ai ka pasur disa trajnime mbi mënyrën e folurit, për të hequr zakonin e fjalive të shkurtra rat-a-tat, të cilat ishin produkt i nervozizmit e tij në vitet e tij të para në politikë.
Me profilin e saj të dikurshëm publik si një ikonë e bukurisë, Kabaeva iu përgjigj pyetjes mbi lidhjen me liderin rus me një deklaratë të thjeshtë se ai ishte “një njeri i mrekullueshëm, një njeri i madh”. Por periudha e komenteve të lirshme ka përfunduar.
Kabaeva hyri në aparatin e pushtetit të Putinit, duke shërbyer si deputete në parlamentin rus, dhe nënshkruar ligjet më të ashpra, përfshirë ato që kundërshtojnë birësimin e fëmijëve rusë nga të huajt. Që nga ajo kohë, ajo është anëtare bordi në Grupin Kombëtar të Medias me një pagë shumëmilionëshe, pavarësisht se nuk ka pasur përvojë të mëparshme në media.
Ata që janë afër Putinit shpërblehen shumë. Kështu motrës së Kabaevës, iu dha një vend pune si juriste në Tatarstan (familja e saj është gjysma tatare). Putini nuk e sheh nevojën për një rol zyrtar të “Zonjës së Parë”. Paranojak mbi cenimin e privatësisë së tij, Putini ka detyruar mbylljen e mediave që raportonin mbi marrëdhëniet e tij private.
Thuhet se ai ka 6 fëmijë, nga 2 marrëdhëniet e gjata dhe një raport rastësor, por nuk e ka konfirmuar kurrë këtë. Putini nuk është ndjerë asnjëherë rehat jashtë Rusisë, apo me rusët që banojnë për një kohë të gjatë në Perëndim. Një personazh i famshëm vendas, i cili prej kohësh ka jetuar midis Rusisë dhe Evropës Perëndimore, më thotë se për Putinin “të mos jetosh me kohë të plotë në Rusi, është tashmë një shenjë e dyshimtë”.
Një tjetër ish-manjat i medias që jeton në Britaninë e Madhe, kujton se si gjatë një bisede me presidentin disa vite më parë mbi një të njohurin e tyre të vjetër nga Moska që po martohej me një grua angleze, Putin tha:“E përse duhet ta bëjë këtë? Kur këtu në Rusi kemi mijëra gra të bukura”.
Tendenca e Putinit drejt paranojës dhe dyshimit ndaj kujtdo, është rritur shumë që nga bllokimet e diktuara nga pandemia. Frika e tij se mos prekej nga Covid-19, ishte aq e madhe saqë të ftuarit e tij duhej të uleshin në cepin tjetër të një tryeze të gjatë, ndërsa stafi i tij i ngushtë duhej dezinfektohej përpara takimeve.
Pasuria e tij personale është astronomike,dhe konflikti i tij me Navalny-n u nxit sidomos nga videot investigative të kundërshtarit të tij mbi kompleksin e madh “Pallati i Putinit” buzë Detit të Zi, i paguar nga oligarkët pranë tij. Megjithatë, ka pak të dhëna se Putini kalon kohë atje.
Disa oligarkë dikur të afërt me të, spekulojnë se duke pasur parasysh sistemin e avancuar të sigurisë, zonën e ndalim-fluturimit rreth kompleksit dhe qasjen private nga deti, ai synohet të jetë një vendstrehim “i fundit”, për t'u përdorur në rast se Putini largohet nga pushteti ose nëse i duhet të largohet nga vendi.
Nëse kjo tingëllon si një perspektivë e largët, ia vlen të kujtohet se shumë pak liderë të Kremlinit, kanë lënë postet që mbanin me vullnetin e tyre. Zgjedhjet ruse, na kujtuan se i gjithë pushteti kuptimplotë është tani në duart e një njeriu, i cili është njëkohësisht i papërgjegjshëm dhe i plakur.
Kushtetuta u ndryshua për ta lejuar udhëheqësin e Kremlinit të kandidonte për një mandat të pestë, me një zgjatje të mundshme të sundimit deri në vitin 2030. Por një ditë do të vijë fundi. Kur pyes një oligark rus me banim në Londër, se çfarë mendon se do të ndodhë pas Putinit, ai përgjigjet thjesht: ”Pas Putinit, do ketë më shumë Putin!”./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”
Shënim: Anne McElvoy, redaktore e Politico, dhe prezantuese e podcastit javor “Power Play”.
Lini një Përgjigje