Djali i presidentit amerikan Donald Trump, Eric Trump, dhe bashkëshortja e tij, Lara Trump, do ta shoqërojnë atë në vizitën zyrtare në Kinë më 14 dhe 15 maj, në një lëvizje që synon të forcojë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Zëdhënësja e Trump Organization, Kimberly Benza, deklaroi se çifti është “krenar” që merr pjesë në këtë vizitë, duke theksuar se prania e Eric Trump është në kapacitet personal dhe si mbështetje për presidentin.
“Eric është thellësisht krenar për të atin dhe arritjet e tij. Ai merr pjesë si një djalë mbështetës dhe nuk ka aktivitete biznesi në Kinë, as plane për t’u angazhuar në të ardhmen,” u shpreh ajo, duke shtuar se ai nuk do të marrë pjesë në takime private.
Megjithatë, prania e familjarëve në një vizitë të tillë zyrtare pritet të ngjallë debat në Uashington, për shkak të faktit se pasuria dhe marrëveshjet biznesore të Trump menaxhohen nga familja e tij.
Çështja rikthen në vëmendje kritikat që vetë Trump kishte bërë ndaj ish-presidentit Joe Biden, kur djali i tij Hunter Biden e kishte shoqëruar në Kinë gjatë kohës që Biden ishte nënpresident. Në atë kohë, Trump e akuzonte Hunter Biden se kishte përdorur ndikimin politik për përfitime ekonomike, akuza që familja Biden i ka mohuar.
Lini një Përgjigje