
Ekspertët thonë se bllokada i ngjan më shumë një operacioni të kontrollit të trafikut në mes të një zone lufte, ndërsa Irani ka zhvendosur sasi të mëdha nafte në det të hapur...
Pas dështimit të bisedimeve të paqes në Islamabad gjatë fundjavës së shkuar, e ardhmja e armëpushimit të brishtë mes SHBA-së dhe Iranit duket se varet tashmë nga një rrugë ujore prej 100 miljesh mes Gjirit Persik dhe Detit Arabik.
Shtetet e Bashkuara vendosën një bllokadë mbi portet iraniane dhe zonat bregdetare në lindje të Ngushticës së Hormuzit, e cila hyri në fuqi të hënën në orën 15:00 (sipas orës britanike).
Komanda Qendrore e Amerikës paralajmëroi se mjetet lundruese do t’i nënshtrohen “përgjimit, devijimit dhe sekuestrimit”, pavarësisht flamurit që mbajnë. Më shumë se 15 anije luftarake amerikane janë pozicionuar për të mbështetur operacionin, deklaroi një zyrtar i lartë për amerikanen Wall Street Journal.
Presidenti Donald Trump kërcënoi se anijet që lundrojnë nga portet iraniane do t’i nënshtrohen “të njëjtit sistem asgjësimi që përdorim kundër trafikantëve të drogës në det”, duke iu referuar sulmeve të diskutueshme të administratës së tij ndaj varkave pranë bregdetit të Venezuelës.
Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm si reagim ndaj këtyre kërcënimeve, por ushtria amerikane këmbënguli se ky veprim “nuk do të pengonte” lëvizjen e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, përkundër retorikës, një anije kineze e sanksionuar nga SHBA, “Rich Starry”, u pa të lundronte përmes Ngushticës të martën, në një sfidë të hapur ndaj bllokadës së Trumpit.
Çfarë përfshin saktësisht bllokada?
Në praktikë, bllokada e presidentit amerikan do të godasë anijet që nisen nga portet dhe vija bregdetare e Iranit, pavarësisht vendit të tyre të origjinës. SHBA-ja e ka deklaruar qartë se nuk do të shënjestrojë mjetet që nuk kanë lidhje me Iranin ose portet e tij, por ato që kanë lidhje do të ndalohen, devijohen ose sekuestrohen.
Sidoqoftë, udhëheqësi amerikan ka urdhëruar gjithashtu Marinën që të godasë anijet që i kanë paguar Iranit taksën e transitit, ku përfshihen cisternat kineze dhe anijet indiane të transportit të mallrave që nuk janë palë në konflikt, thotë profesor Barry Appleton, bashkëdrejtues i ligjit ndërkombëtar në New York Law School.
“Hormuzi është një ngushticë e vogël, e kërcënuar nga minat, me armiqësi aktive, dhe tani Marinës së SHBA-së po i kërkohet të policojë çdo anije që hyn ose del nga portet iraniane. Kjo nuk është bllokadë. Ajo i ngjan më shumë një operacioni të kontrollit të trafikut në mes të një zone lufte”, deklaron ai.
A po funksionon bllokada?
Sipas të dhënave të trafikut detar të analizuara nga Kpler, 5 anije cisterna kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit që nga vendosja e bllokadës. Për të gjitha kategoritë - naftë, gaz i lëngshëm (LNG, LPG) dhe mallra të ngurta - një total prej 8 anijesh e kanë kaluar ngushticën mes datave 13 dhe 14 prill.
“Objektivi është të kufizohet aftësia e Iranit për të eksportuar naftë bruto, gjë që mund të çojë në ndalimin e prodhimit”, shprehet Johannes Rauball, analist i naftës për The Independent. Por sipas Kpler, Teherani duket se e ka zhvendosur naftën e tij në det të hapur në pritje të kufizimeve dhe vëllimet e naftës në transit mbeten gjithashtu të larta.
Këtë javë, “depozitimi lundrues” i naftës bruto iraniane - një metodë e prodhimit dhe ruajtjes së naftës dhe gazit në ujëra të hapura, larg tokës ose porteve - u rrit në 42 milionë fuçi, nga 38 milionë sa ishte të dielën e 12 prillit.
Me këtë term përkufizohen anije cisterna që transportojnë naftë, të cilat kanë qëndruar në vend ose kanë ulur shpejtësinë për të paktën shtatë ditë, në thelb duke “pritur udhëzime”. Për shkak se furnizimi me naftë iraniane po tejkalon kërkesën, disa anije cisterna nuk kanë mundur të shkarkojnë ngarkesën e tyre apo të gjejnë blerës.
“Megjithëse çdo reduktim i eksporteve iraniane do të godiste kryesisht Kinën, e cila thith pjesën dërrmuese të këtyre flukseve, disponueshmëria e përgjithshme e naftës iraniane pritet të mbetet e bollshme. Ne po vërejmë përqendrime të konsiderueshme të depozitimit lundrues pranë Kinës... Kjo do të thotë se Irani ka pak gjasa të preket nga bllokada në një të ardhme të afërt për shkak të vëllimeve të konsiderueshme që ndodhen tashmë në ujë”, shpjegon Rauball.
Për më tepër, “flota hije” e anijeve cisterna të Iranit përbën një sfidë tjetër për marinën amerikane, paralajmërojnë ekspertët e transportit detar. Kjo i lejon anijet e lidhura me portet që të kalojnë pa u pikasur duke përdorur metoda të sofistikuara.
Analisti i Chatham House, Neil Quilliam, thotë se është “shumë herët për të thënë” nëse bllokada e Trumpit ka qenë efektive. “Kalimi i anijes kineze tregon se disa pronarë anijesh dhe ekuipazhet e tyre kanë një tolerancë të lartë ndaj rrezikut dhe janë të gatshëm të testojnë SHBA-në, duke e kthyer këtë në një lojë se kush do të dorëzohet i pari. Por mbetet një lojë me rreziqe shumë të larta”, deklaron ai.
A mund të imponojë bllokada një përleshje ushtarake?
Profesori thotë se kjo strategji “përshkallëzon një konfrontim në një nga pikat më të brishta të botës, ku SHBA dhe ekonomia globale janë shumë më të ekspozuara se vetë Irani”. Irani ka kërcënuar se do të sulmojë partnerët e SHBA-së në Gjirin Persik nëse vazhdon ajo që ai e quan “pirateri”.
“Duket se kjo është një lëvizje ‘dhëmb për dhëmb’ nga ana e SHBA-së”, shpjegon Quilliam. “Në rastin më të mirë, kjo do t’i shkaktojë Iranit probleme ekonomike për ta kthyer në tryezën e bisedimeve. Por vetëm kjo lëvizje nuk do ta bindë regjimin, pasi ai i ka rezistuar sanksioneve për mbi 20 vjet”, shton eksperti.
Në rastin më të keq, Irani do të sfidojë bllokadën, duke çuar në një konfrontim të ri ushtarak që do të përfshinte sulme të reja iraniane kundër infrastrukturës energjetike në shtetet e Gjirit, veçanërisht në Arabinë Saudite. Dhe kjo, sipas Quilliam, do të çonte në një rritje edhe më të madhe të çmimeve të naftës./Pamfleti nga “The Independent”
Lini një Përgjigje