Shtetet e Bashkuara ia detyrojnë statusin e tyre si superfuqi jo vetëm forcës, por kombinimit unik të avantazheve materiale dhe vlerave të Iluminizmit. Me mbështetjen e tij në pushtetin e ashpër dhe refuzimin e të gjitha kufizimeve mbi autoritetin e tij, Donald Trump përfaqëson të kundërtën e gjithçkaje që e bëri këtë vend të madh...
Presidenti amerikan, Donald Trump, po vepron me vendosmëri për të riformësuar rajonin e Atlantikut të Veriut, madje edhe me koston e shkatërrimit të Perëndimit transatlantik. Trump dhe këshilltarët e tij besojnë se aleancat si NATO janë një barrë dhe se “vetëm Amerika” do të arrijë madhështinë e vërtetë.
Megjithatë, kur shikon të dhënat e administratës gjatë vitit të kaluar, gjen vetëm prova të vetëshkatërrimit. Shembuj të dukshëm përfshijnë dëmtimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit brenda vetë vendit; krijimin e aleancave të reja de facto me sundimtarë autoritarë si presidenti rus Vladimir Putin; përpjekjen për të krijuar një rend botëror perandorish të bazuar vetëm te forca, pa rregulla detyruese apo institucione shumëkombëshe; dhe shkatërrimin e aleancave dhe të marrëdhënieve tregtare afatgjata.
Ajo që i ka dalluar gjithmonë Shtetet e Bashkuara, që nga themelimi i tyre deri në ngritjen e tyre si superfuqi globale, kanë qenë rrënjët e tyre të thella te vlerat e Iluminizmit. Etërit Themelues ishin plotësisht të përkushtuar ndaj humanizmit perëndimor dhe një kushtetute të hartuar në mënyrë të arsyeshme.
Institucionet që krijuan ata i kanë bërë Shtetet e Bashkuara më të suksesshme se çdo komb tjetër të themeluar në epokën moderne. Preambula e Kushtetutës së SHBA-së fillon me fjalët “Ne, Populli”, në një formë që i ngjan pluralis majestatis (“ne-ja mbretërore”) që më parë ishte rezervuar vetëm për monarkët.
Pohimi i sovranitetit popullor i nënkuptuar nga ato tri fjalë ishte një provokim i qëllimshëm dhe një simbol i fuqishëm i sfidës revolucionare që demokracia e re amerikane po i bënte sundimit absolutist kudo tjetër në botë.
Sigurisht, gjatë gjithë ngritjes së tyre historike, fillimisht si një fuqi kontinentale në Amerikën e Veriut, pastaj si fuqi botërore dhe së fundmi si superfuqia globale e kohës sonë, Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur gjithmonë karakterin e dyfishtë të pushtetit perandorak dhe demokracisë së bazuar në vlerat e Iluminizmit.
Pranimi fillestar i skllavërisë në shtetet e Jugut qëndronte në një tension të përhershëm dhe të papajtueshëm me angazhimin për barazi dhe të drejta të patjetërsueshme, të shpallura në Deklaratën e Pavarësisë dhe të sanksionuara në Kushtetutë.
Por, pavarësisht të gjitha të metave të tyre, Shtetet e Bashkuara nuk kanë mbrojtur kurrë vetëm forcën. Ngritja e tyre drejt hegjemonisë globale mbështetej kryesisht në dominimin ekonomik dhe pozicionin gjeografik midis dy oqeaneve të mëdhenj - avantazhe këto që luajtën një rol kyç në fitoret ushtarake në dy luftëra botërore dhe në triumfin në Luftën e Ftohtë.
Megjithatë, ishte kombinimi i fuqisë materiale dhe tërheqjes universale të vlerave të Iluminizmit ai që bëri të mundur ngritjen e Amerikës në nivelet aktuale.
Me mbështetjen e tij te fuqia e ashpër dhe refuzimin e çdo kufizimi mbi autoritetin e tij, Trump përfaqëson antitezën e gjithçkaje që i bëri të madhërishme Shtetet e Bashkuara.
Nën sundimin e tij shkatërrues, një superfuqi me fuqi të pamasë ekonomike dhe ushtarake po zhytet në irracionalizëm, nacionalizëm egocentrik dhe dhunë zyrtare. Ndërsa afrohet 250-vjetori i Deklaratës së Pavarësisë, demokracia më e vjetër në botë përballet me një sfidë ekzistenciale nga një njeri i vetëm, i cili është i vendosur të imponojë sundimin absolutist.
Në rrezik është vetë republika amerikane dhe gjithçka që ajo ka përfaqësuar ndonjëherë. Në vend të saj po shfaqet një oligarki e korruptuar, e dominuar nga miliarderë me fantazi perandorake për sundimin e botës dhe ëndrra të ethshme për kolonizimin e planetëve të largët e arritjen e pavdekshmërisë.
Liritë civile të mbrojtura nga kushtetuta po ia lënë vendin mbikëqyrjes dhe kontrollit të gjithanshëm, të kryer nga kompani private si Palantir. Ata që protestojnë dhe rezistojnë janë në rrezikun e përndjekjes nga zyrtarë federalë të maskuar, të cilët janë praktikisht të imunizuar nga ndjekja penale.
Universitetet dhe institucionet kërkimore të klasit botëror gjenden nën një presion financiar në rritje, dhe liria e fjalës duket se u përket ekskluzivisht atyre që janë në pushtet.
“Toka e Lirisë” po u ngjan gjithnjë e më shumë të huajve me ish-Bllokun komunist Lindor. Në politikën e jashtme, aleatët më të afërt dhe më besnikë të Amerikës, si Danimarka, po shndërrohen në kundërshtarë, vetëm sepse po i rezistojnë pretendimeve perandorake ndaj territorit të tyre sovran. Për Trumpin dhe rrethin e tij, luftëdashësit agresivë si Putini nuk janë problemi.
Përkundrazi, problemi janë evropianët, veçanërisht Bashkimi Evropian. Tingëllon absurde, por kjo është e vërteta. Trump po kryen një riorganizim të madh të gjithçkaje që i ka bërë Shtetet e Bashkuara të mëdha për dekada të tëra: një ndarje funksionale të pushteteve, një treg pune të hapur, një sistem universitar që ka tërhequr mendjet më të mira nga e gjithë bota dhe një sistem vlerash të bazuar te toleranca, arsyeja dhe të drejtat universale.
MAGA jo vetëm që po shkatërron Perëndimin transatlantik, por edhe vetë themelet e fuqisë amerikane. Ndërkohë, pjesa tjetër e botës do të vazhdojë të ketë nevojë për Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me disa nga sfidat tona më të mëdha të përbashkëta. Mjerisht, vetë Shtetet e Bashkuara mund të bëhen një prej tyre./ Përshtati "Pamfleti", marrë nga "Project Syndicate"
Shënim: Joschka Fischer, ish-Ministër i Jashtëm dhe zëvendës/kancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005.
Perveç Europes se vlerave njerezore e dekokratike, SHBA-te nuk eshte se jane te preferuar nga kombe te tjera, perfshire Ruset, vendet Arabe ku ka rreth 36 vjet qe luftonj ne Irak,Afganistan, Siri Pakistan , etj, vendet Aziatike, perveç Korese se Jugut. Edhe ne Ameriken Latine e Qendrore nuk eshte se jane shume miçesore. Atehere shtrohet pyetja, pse kjo strategji e SHBA ndaj Europes. Nderkohe qe kjo e fundit i besoi çdo gje SHBA.
e vertete