
"Demokratët radikalë kanë humbur një gjueti shtrigash patetike dhe antiamerikane. Nuk ka pasur kurrë asnjë rast, dhe, siç e kanë përsëritur prej kohësh studiuesit dhe ekspertët ligjorë, persekutimi kundër meje është një mashtrim që duhet hedhur poshtë plotësisht", këto ishin fjalët e presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump pasi gjykata vendosi ta shpallë fajtor por pa dënim për çështjen lidhur me aktoren pornografike Stormy Daniels.
Në një reagim në rrjetin e tij social “Truth”, ai shihet sikur të jetë një triumfues. Nëse brenda vetes ndjen lehtësim, këtë sigurisht nuk e tregon. Por, përpara mbështetësve të tij shfaqet më i tërbuar se kurrë.
Pas disa javësh përpjekje për shtyrje dhe manovra nga avokatët e tij për të penguar arritjen e një vendimi në çështjen e pagesës me fondet e fushatës elektorale ndaj ish-aktores pornografike Stormy Daniels, duke iu drejtuar madje edhe Gjykatës së Lartë me shumicë konservatore (e cila këtë herë nuk e mbështeti), vendimi erdhi. Dhe, pavarësisht se “pezullimi i pandërprerë i dënimit” i vendosur nga gjykatësi Juan Merchan është i lehtë, reputacioni i tij do të mbetet përgjithmonë i njollosur: presidenti i parë i dënuar penal në historinë e Amerikës. Gjithashtu, i pamundur të falë veten — pra, të pastrojë njollën duke përfituar nga fuqitë e veçanta të postit të tij, pasi ai u dënua nga një gjykatë shtetërore dhe jo federale.
Kështu, dje Trump, me avokatin Todd Blanche në krah, shfryu zemërimin e tij, duke marrë pjesë me video në seancën gjyqësore të Nju Jorkut nga resorti i tij në Mar-a-Lago, selia e tij që së shpejti do të kthehet në degë të Shtëpisë së Bardhë.
“Përballja me procesin ka qenë një përvojë e tmerrshme për mua dhe për gruan time. Dhe është një turp për të gjithë sistemin gjyqësor të Nju Jorkut”, tha ai, duke drejtuar për të disatën herë gishtin ndaj veprimeve të Merchan, të cilin mbështetësit e tij prej kohësh e kërcënojnë me vdekje. Trump akuzoi sërish edhe prokurorin e qarkut Alvin Bragg, të cilin Trump e ka akuzuar më herët për kryerjen e punëve të pista për llogari të Joe Bidenit dhe “bandës” së tij.
Duke u viktimizuar. Trump përsëriti për të disatën herë një koncept që ka qenë një nga shtyllat kryesore të fushatës së tij elektorale: “Kundër meje është ngritur një gjueti shtrigash, një kurth për të dëmtuar reputacionin tim. E gjithë kjo çështje ka qenë një farsë e neveritshme dhe, tani që ka përfunduar, do të apelojmë kundër kësaj mashtrimi që një person si unë nuk e meriton”, deklaroi ai.
Ai vijoi gjatë gjithë ditës të postonte ankesa, akuza dhe madje propozime për hakmarrje nëpërmjet Truth.
“Kjo çështje nuk duhej të kishte shkuar kurrë në gjykatë. Është fryt i një persekutimi politik. Sot është një ditë e trishtë për mua dhe për vendin”, shkroi ai, duke kujtuar gjithashtu fitoren e bujshme në nëntor: “Qytetarët panë si më trajtonin dhe më votuan. Kam fituar në të shtatë shtetet kyçe”.
Sapo të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, Trump do të bëjë gjithçka për të përmbysur vendimin, sado të lehtë. Në apel, nëse do të mund ta çojë çështjen përpara Gjykatës së Lartë të Shtetit të Nju Jorkut me seli në Albany. Ose direkt përmes Departamentit të Drejtësisë, ku ka emëruar si zëvendësministër pikërisht avokatin që e ka ndihmuar në këtë çështje, Todd Blanche. Me sa duket i bindur se në atë pozicion do të ketë shanse për t’u mbrojtur dhe për të fshirë të kaluarën e tij penale./La Repubblica
Lini një Përgjigje