
Venezuela reagoi ashpër të shtunën mbrëma, pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se SHBA ka mbyllur hapësirën ajrore venezueliane dhe se operacionet tokësore kundër trafikantëve të dyshuar do të nisin “shumë shpejt”.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Venezuelës e quajti këtë një “kërcënim kolonialist” dhe një akt “agresioni të paligjshëm, të pajustifikuar dhe armiqësor” kundër popullit të Venezuelës.
Autoritetet në Caracas akuzuan Trumpin se po cenon sovranitetin e hapësirës ajrore, integritetin territorial dhe sigurinë aeronautike të vendit, duke shtuar se veprimet e tij përbëjnë shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. “Venezuela nuk do të pranojë urdhra, kërcënime apo ndërhyrje nga asnjë fuqi e huaj,” thuhet në deklaratë, ku theksohet se asnjë autoritet i jashtëm nuk ka të drejtë të bllokojë apo kushtëzojë përdorimin e hapësirës ajrore të vendit.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm në javët e fundit. Trump ka akuzuar prej kohësh presidentin Nicolás Maduro për lidhje me trafikun e drogës, akuza që Maduro i mohon kategorikisht, duke e konsideruar fushatën amerikane si përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti. Në të njëjtën kohë, operacionet kundër narkotrafikut të SHBA-së në Karaibe janë intensifikuar, me të paktën 83 persona të vrarë në sulme ajrore kundër mjeteve detare në javët e fundit.
Reagimi i Caracas-it tregon se përplasja retorike po hyn në një fazë të re tensioni, ndërsa situata mbetet e paqartë dhe me shumë të panjohura për hapat e ardhshëm të Washingtonit.
Lini një Përgjigje