
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar mbrëmjen e sotme se është “shumë i zhgënjyer” nga Vladimir Putin, duke përsëritur publikisht pakënaqësinë e tij ndaj liderit rus.
Trump kishte shpresuar që takimi ballë për ballë me Putinin muajin e kaluar në Alaskë do të hapte rrugën për një marrëveshje paqeje në Ukrainë. Megjithatë, nga takimi nuk doli asnjë marrëveshje dhe asnjë takim i dytë nuk është planifikuar. Ndërkohë, Rusia ka vazhduar ofensivën ajrore, duke shkaktuar viktima të shumta, përfshirë dhjetëra të vrarë në Kiev pas sulmeve me dron javën e kaluar.
“Jam shumë i zhgënjyer prej tij, ai e di. Kemi një marrëdhënie të mirë, por jam shumë i zhgënjyer. Mijëra njerëz po vdesin. Nuk janë amerikanë ata që po vdesin, por janë rusë dhe ukrainas, dhe janë mijëra,” tha Trump në intervistën për emisionin radiofonik Scott Jennings Shoë.
Ai shtoi: “Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por mund të them se jam shumë i zhgënjyer nga presidenti Putin. Ne do të bëjmë diçka që t’u ndihmojmë njerëzve të jetojnë. Nuk është thjesht çështje e Ukrainës, por çështje për të shpëtuar jetë.”
Në të njëjtën intervistë, presidenti amerikan tha se nuk është “aspak i shqetësuar” për boshtin që po perceptohet në Perëndim mes Kinës dhe Rusisë, teksa Xi Jinping po pret në Pekin liderë të ndryshëm, përfshirë edhe Putinin.
Lini një Përgjigje