TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Janar 2026, 12:36

Trump ka fituar 1.4 miliardë dollarë vetëm nga viti i parë i mandatit të dytë

Shkruar nga Pamfleti

 Trump ka fituar 1.4 miliardë dollarë vetëm nga viti i parë

Presidenti aktual fiton para nga korporatat amerikane, mburret me dhuratat nga qeveritë e huaja dhe i gëzohet rritjes së shpejtë të pasurisë së tij. Kur presidenti Herri Truman u largua nga detyra në vitin 1953, ai nuk kishte as makinë. Ai dhe bashkëshortja u kthyen në Misuri me tren dhe jetuan për një kohë vetëm me pensionin e tij si ushtarak...

Presidenti Donald Trump nuk ka qenë kurrë një njeri që pyet se çfarë mund të bëjë për vendin e tij. Në mandatin e tij të dytë, ashtu si në të parin, ai po vë në provë kufijtë e asaj që vendi mund të bëjë për të.

Ai e ka përqendruar energjinë dhe kreativitetin e tij në shfrytëzimin e presidencës, duke zbuluar publikisht shumat e mëdha të parave që njerëzit, korporatat dhe kombet e tjera janë të gatshëm të derdhin në xhepat e tij, me shpresën se pastaj do ta vërë pushtetin shtetëror në shërbim të interesave të tyre.

Një analizë e hollësishme nga bordi editorial i gazetës, i mbështetur në analizat e organizatave mediatike, tregon se Trump e ka përdorur postin e presidentit për të fituar të paktën 1.4 miliardë dollarë.

Ne e dimë se kjo shifër është sërish minimale dhe e nënvlerësuar, pasi një pjesë e fitimeve të tij mbeten të fshehura nga publiku. Dhe ato vazhdojnë të rriten. Kështu, që prej rizgjedhjes në detyrë, familja Trump ka fituar të paktën 23 milionë dollarë vetëm nga licencimi i emrit të tij jashtë vendit.

Një hotel në Oman. Një kullë zyrash në Indinë Perëndimore. Një fushë golfi në periferi të Riadit, në Arabinë Saudite. Këto janë disa nga më shumë se 20 projektet ndërkombëtare që po zbaton Organizata Trump, të cilat shpesh kërkojnë bashkëpunim me qeveritë e huaja.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, këto marrëveshje i kanë sjellë miliona dollarë familjes Trump, ndërkohë që administrata i ka trajtuar këto qeveri në mënyrë të favorshme.

Një shembull: Administrata pranoi të ulte tarifat e paralajmëruara ndaj Vietnamit, rreth një muaj pasi një projekt i Organizatës Trump nisi ndërtimin e një kompleksi golfi prej 1.5 miliardë dollarësh jashtë Hanoit. Zyrtarët vietnamezë injoruan ligjet e vendit të tyre vetëm për të përshpejtuar zbatimin e projektit.

Për më tepër, Trump-ët do të arkëtojnë 28 milionë dollarë nga Amazon për një dokumentar rreth Melania Trump. Amazon pagoi shumë më tepër për të drejtat e dokumentarit me titull “Melania” sesa ofertuesi tjetër më i lartë, dhe shumë më tepër sesa kompania ka paguar më parë për projekte të ngjashme, siç raporton edhe Wall Street Journal.

Xhef Bezos, kreu i Amazon dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, ka arsye të shumta për të fituar favorin e administratës aktuale, duke përfshirë rregulloret antitrust, kontratat në industrinë e mbrojtjes dhe kontratat federale të kompanisë së tij hapësinore.

Kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe medias i kanë paguar Trumpit 90.5 milionë dollarë dëmshpërblime që pas rizgjedhjes së tij në detyrë. Këto pagesa kanë ardhur nga platforma X, ABC News, Meta, YouTube dhe Paramount.

Dhe asnjëra prej tyre nuk kishte një bazë të fortë ligjore. Për shembull, Paramount pranoi t’i paguante presidentit 16 milionë dollarë për pretendimin e tij mbi “redaktimin manipulues” të një interviste të Kamala Harris në vitin 2024.

Tre javë më vonë, Komisioni Federal i Komunikimeve miratoi një shkrirje prej 8 miliardë dollarësh me kompaninë Skydance. Katari i dhuroi Donald Trumpit një avion prej 400 milionë dollarësh, të cilin ai do ta përdorë si “Air Force One” gjatë presidencës dhe planifikon ta mbajë edhe pasi të largohet nga detyra.

Trump duket se e pranoi që kjo dhuratë do të ndikonte në qëndrimin e tij ndaj Katarit. “Ne do ta mbrojmë këtë vend!” - deklaroi ai në Doha, fill pas ofertës së Katarit për aeroplanin. Familja Trump ka fituar gjithashtu të paktën 867 milionë dollarë përmes kriptomonedhave të ndryshme.

Shitja e tyre ka qenë padyshim burimi më i madh i të ardhurave. Njerëzit që synojnë të ndikojnë mbi politikën federale mund të blejnë kriptomonedhat e familjes së tij, duke transferuar para te Trump-ët përmes marrëveshjeve që shpesh mbeten sekrete.

Një rast publik: Një kompani investimi e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe njoftoi planet vitin e kaluar për të depozituar 2 miliardë dollarë në një nga kompanitë e Trumpit, vetëm dy javë para se presidenti t’i jepte vendit qasje te mikroçipat e përparuar.

Në përgjithësi, Trump ka përfituar nga rikthimi i tij në presidencë një shumë të barabartë me 16.822 herë më shumë se sa të ardhurat mesatare të një familjeje amerikane. Etja e tij për pasuri është e paturpshme.

Gjatë gjithë historisë së kombit, presidentët e të dyja partive janë kujdesur të shmangin qoftë edhe dukjen e përfitimit nga shërbimi publik. Ky president “shtrydh” me gëzim korporatat, mburret me dhuratat e huaja dhe feston rritjen e pasurisë së tij.

Kur presidenti Herri Truman u largua nga detyra në vitin 1953, ai nuk kishte as makinë. Ai dhe bashkëshortja u kthyen në Misuri me tren dhe jetuan për një kohë vetëm me pensionin e tij si ushtarak.

Dhe ai refuzoi çdo punë që e shihte si komercializim të figurës së tij, duke thënë:

“Ata nuk duan të punësojnë Herri Trumanin si person, por ish-presidentin e SHBA-së”.

Ndërsa Trump planifikon që t’i marrë me vete dhuratat luksoze.

Numërimi që bëmë, përqendrohet vetëm në fitimet e dokumentuara. Shifra prej 1.4 miliardë dollarësh është minimumi, dhe jo llogaritja e plotë. Kultura e korrupsionit që po nxit vrullshëm Trump, është e dëmshme sepse shkatërron legjitimitetin demokratik të shtetit dhe minon besimin e popullit te përfaqësuesit e tij. 

Aristoteli paralajmëroi 2.000 vjet më parë: kur qëllimi i qeverisë ndryshon nga e mira publike te përfitimi privat, kushtetuta bëhet një guaskë bosh. Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të bien në këtë spirale cinike, ndërsa institucionet po shkërmoqen për hir të përfitimeve personale./Përshtati Pamfleti “New York Times”

 

trump pasuria

1 Komente

  1. I
    I Vuajturi

    O Pamflet….ci duhen popullit shqiptar…o Mik i mire,se sa fiton presudenti Trump….kjo seahte fare egzistuese ne axhenten e tije…ky popull do Buk te lire…dhe ndonje kock shtes per pensionistat…se mbas kaq vjetesh,bare e parime eshte i ngop me keto..o Mik i mire…futu me thell ne politken dhe jeten e shqiptare…e keshtu gjej nje zgjedhjd per…te ..e te hysh ne histori. ORGANIZO NJE REFERENDUM…NE GJITHPOPILLIN ..SHQIPTAR…Ne apaftesi te permiresimit te jetes se tije…tu kerkoje miqeve Amerikan…te shtoje dhe nje shtet ne vendin e tije SHQIPERINE.. e keshtu ky vend te ndorje token e tije,per te dal fidane te reja e ta lulezojne ket vend

    Lini një Përgjigje