Një makinist treni ka humbur jetën dhe të paktën 37 persona janë plagosur, pesë prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një tren doli nga shinat dhe u përplas pranë Barcelonës. Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pas përplasjes fatale mes dy trenave në jug të Spanjës.
Sipas autoriteteve lokale, mbrëmjen e së martës treni i linjës Rodalies u përplas me një mur mbajtës, i cili u shemb mbi shina, në segmentin mes Gelida dhe Sant Sadurní. Inspektori i zjarrfikësve të Katalonjës, Claudi Gallardo, bëri të ditur se të gjithë pasagjerët janë nxjerrë nga treni.
Aksidenti ndodhi në një moment kur stuhitë e forta kishin përfshirë verilindjen e Spanjës. Autoritetet kishin shpallur alarm të lartë edhe për zonat bregdetare në lindje dhe veriperëndim të vendit për shkak të motit të keq.
Shërbimet e emergjencës njoftuan se 11 ambulanca u dërguan në vendngjarje në Gelida, rreth 35 kilometra në perëndim të Barcelonës, për të ndihmuar të plagosurit. Zjarrfikësit dërguan 35 ekipe në zonë dhe arritën të shpëtojnë një pasagjer që kishte mbetur i bllokuar brenda trenit.
Në një përditësim të mëvonshëm, autoritetet thanë se nuk kishte më persona brenda trenit dhe se ekipet po kontrollonin zonën për t’u siguruar se nuk kishte viktima të tjera. Të plagosurit u dërguan në spitalet Moisès Broggi, Bellvitge dhe Vila Franca.
Shërbimet mjekësore thanë se, përveç pesë të plagosurve rëndë, 32 të tjerë me lëndime të lehta.
Shërbimet hekurudhore të pezulluara
Po të martën, një tjetër tren i rrjetit të Barcelonës doli nga shinat. Operator i rrjetit hekurudhor spanjoll, Adif, njoftoi se “boshti i trenit u godit nga një shkëmb i shkëputur për shkak të stuhisë”. Treni udhëtonte në linjën Blanes–Maçanet-Massanes, në verilindje të Barcelonës.
Në këtë rast nuk u raportuan të lënduar, por shërbimet hekurudhore u pezulluan. Sipas gazetës spanjolle El Pais, rreth 400 mijë udhëtarë pritet të mbeten pa shërbim treni të mërkurën në mëngjes.
I gjithë rrjeti Rodalies ka pezulluar aktivitetin ndërsa po kryhen kontrolle sigurie. Operatorët e hekurudhave pritet të zhvillojnë takime me autoritetet pas përfundimit të inspektimeve.
Aksidentet në Katalonjë vijnë vetëm dy ditë pas një prej fatkeqësive më të rënda hekurudhore në Spanjë në më shumë se një dekadë. Të dielën, dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën në Adamuz, Andalusi, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 42 personave, pasi vagonët e një treni që udhëtonte drejt Madridit dolën nga shinat dhe u përplasën me një tren tjetër që po vinte në drejtim të kundërt.
Lini një Përgjigje