
Ndërsa ne nuk e dimë se sa takime, samite ose forume do të nevojiten përpara se udhëheqësit evropianë të arrijnë këtë përfundim, paralajmërimi i liderit ukrainas Volodymyr Zelensky në Davos ishte shumë i qartë: “Putini nuk ka frikë nga Evropa!”, dhe Evropa duhet të mësojë të mbrohet...
Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, shënoi një pikë kthese në gjeopolitikën evropiane dhe atë globale, duke i sfiduar themelet e rendit të sigurisë pas Luftës së Ftohtë. Tre vjet pas fillimit të këtij konflikti, Bashkimi Evropian përballet me një sërë skenarësh, të cilët mund të ripërcaktojnë jo vetëm të ardhmen e Ukrainës, por edhe rolin dhe ndikimin e BE-së në skenën ndërkombëtare.
Konflikti ka nxjerrë në pah kufizimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke nënvizuar varësinë e Evropës nga aleancat transatlantike dhe dobësitë e saj ndaj krizave në vendet fqinje me bllokun.
Në këtë kontekst, është thelbësore të analizohen rezultatet e mundshme të konfliktit, duke u fokusuar tek 3 skenarët më të besueshëm në këtë moment. Rizgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së e shton kompleksitetin në lidhje me dilemën e sigurisë së BE-së, përveç sfidave tregtare.
Uashingtoni i ka shtuar kontaktet me Moskën, për të eksploruar mundësinë e arritjes së marrëveshje të mundshme pa BE-në apo Ukrainën. Edhe pse Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ka thënë se Brukseli dhe Kievi do të përfshihen kur negociatat të jenë serioze, ky pohim nxjerr në pah një fakt thelbësor: është ende SHBA-ja, ajo që vendos se kur dhe si Evropa mund të ndërhyjë në zgjidhjen e një konflikti, që në fakt prek drejtpërdrejt territorin e saj.
Përjashtimi nga negociatat Rusi-SHBA në Arabinë Saudite, e dobëson ndikimin evropian dhe mund prodhojë marrëveshje që bien ndesh me interesat e saj. Për më tepër, kërkesa e mundshme e Uashingtoni për lëshime ekonomike nga Kievi, si qasja tek mineralet e rralla, i thellon tensionet duke e kompromentuar sigurinë industriale dhe teknologjike të Evropës.
Kjo situatë na kujton modelet e Luftë së Ftohtë, kur Uashingtoni e përcaktoi sigurinë evropiane pa përfshirjen reale të vendeve evropiane. Megjithëse liderët evropianë kanë thirrur takime urgjente për të përforcuar pozicionin e tyre, përpjekje të duken më shumë si një reagim se sa si një strategji drejt autonomisë reale, duke e vënë në dyshim aftësinë e tyre për të ndikuar në rezultatin e konfliktit.
Skenari i dytë, paraqet një grup kompleks sfidash për Brukselin. Tradicionalisht, anëtarësimi në NATO është parë si një lloj plotësimi i anëtarësimit në BE, i cili nuk ka zhvilluar aftësitë e tij mbrojtëse. Kjo sepse aleanca transatlantike, shihet si një kuadër sigurie kolektive që e përforcon stabilitetin rajonal, duke e lënë Ukrainën brenda BE-së por në një lloj zone gri.
Po kështu, rindërtimi i vendit do të përfaqësonte një sfidë të madhe ekonomike për një kontinent tashmë të kërcënuar nga rënia ekonomike. Edhe pse ekzistojnë fondet private, ka shumë të ngjarë që Brukseli të mbajë mbi supe pjesën më të madhe të barrës financiare, siç ka bërë deri më tani me mobilizimin e 134 miliardë eurove.
Dilema për BE-në është më se e qartë: nëse ajo pranon anëtarësimin e Ukrainës në bllok pa një kornizë sigurie të qëndrueshme, rrezikon të marrë përsipër një përgjegjësi të madhe ekonomike dhe politike, pa garanci për stabilitetin në rajon.
Nga ana tjetër, në rast se ajo do të përpiqet ta lidhë këtë pranim me angazhime më të forta në fushën e sigurisë, siç është prania e shtuar ushtarake evropiane në territorin ukrainas, mund të përballet me një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake me Moskën.
Në çdo rast, procesi i anëtarësimit do të jetë i gjatë dhe kompleks, gjë që do t’i jepte Brukselit pak hapësirë për të marrë në konsideratë një rol më pro-aktiv në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Zgjatja e luftës në Ukrainë mbetet një skenar realist, duke e kërcënuar stabilitetin e BE-së, rritur më tej inflacionin dhe pakënaqësinë sociale. Kjo do ta bëjë më të vështirë unitetin rreth sanksioneve kundër Rusisë dhe mbështetjen për Kievin.
Për më tepër, ndryshimi tashmë i dukshëm në politikën amerikane nën administratën e re të Donald Trump, me një mbështetje të reduktuar ose të kushtëzuar për Ukrainën, do ta detyronte Brukselin të merrte një rol më aktiv në ndihmën ushtarake dhe atë ekonomike, një barrë të cilën deri tani e ka ndarë, edhe pse në mënyrë të pabarabartë, me Uashingtonin.
Propozimi i Britanisë së Madhe për të dërguar trupa në Ukrainë, paraqet një variabël që mund të ripërcaktojë rolin e Evropës në këtë konflikt. Ndërsa kjo nismë nuk ka mbështetjen e qartë të Brukselit, ajo reflekton presionin në rritje ndaj BE-së për të marrë një përgjegjësi më të madhe për stabilitetin rajonal.
Kjo do t’i hapte derën një skenari të ri dhe të pa eksploruar më parë nga BE, i cili aktualisht duket i pamundur. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa nuk mund ta delegojë më tek të tjerët sigurinë e saj.
Por ka ende dyshime nëse është e gatshme ta garantojë e vetme atë, duke pasur parasysh ngurrimin e shteteve anëtare për të hequr dorë nga kontrolli mbi forcat e tyre të armatosura.
Në mesin e një rikonfigurimi gjeopolitik të madh, Brukseli duhet të marrë drejtimin në procesin e ndërtimit të një rendi të ri sigurie, të bazuar tek mbrojtja e komunitetit që garanton autonomi dhe stabilitet strategjik.
Ndërsa ne nuk e dimë se sa takime, samite ose forume do të nevojiten përpara se udhëheqësit evropianë të arrijnë këtë përfundim, paralajmërimi i liderit ukrainas Volodymyr Zelensky në Davos ishte shumë i qartë: “Putini nuk ka frikë nga Evropa!”, dhe Evropa duhet të mësojë të mbrohet./ Pamfleti nga “The Independent”
Lini një Përgjigje