
Fillimisht u tha se lokali kishte licencë për ta ushtruar aktivitetin e saj deri më datë 24 mars, por pas hetimeve nga autoritetet maqedonase diçka e tillë nuk rezultoi e vërtetë.
Maqedoni e Veriut u trondit orët e para të mëngjesit të sotëm nga një tragjedi që shkaktoi 59 të vdekur dhe plagosi mbi 150 të tjerë, të gjithë të moshave mes 14-30 vjeç. Një diskotekë në Koçan u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit, mbi 1500 të rijnë që ndodheshin brenda lokalit në ato momente vrapuan të shpëtonin nga flakët dhe tymi që kishte përfshirë vendin. Disa u dogjën, disa të tjerë u shtypën nga turma e tmerruar, disa të tjerë u asfiksuan nga tymi, bilanci është tragjik.
Ende familjarët e të plagosurve dhe viktimave nuk e dinë nëse të afërmit e tyre i mbijetuan kësaj tragjedie. Ndërkohë që priten verifikimet e plota dhe identifikimet e sakta të viktimave, trupat e disa prej të cilëve janë djegur nga flakët.
Në spital mësohet se janë aktualisht rreth 155 të plagosur, prej të cilëve 13 janë dërguar jashtë vendit për të marrë mjekim. Nga të plagosur, kritike mbetet gjendja për 18 prej tyre. Ndërkohë që vende si Shqipëria, Serbia, Bullgaria etj, janë shprehur të gatshme të pranojnë të plagosur për trajtim mjekësor.
Nga ana tjetër, hetimet kanë zbuluar një tjetër histori nga ajo se çfarë u paraqit mëngjesin e sotëm. Fillimisht u tha se lokali kishte licencë për ta ushtruar aktivitetin e saj deri më datë 24 mars, por pas hetimeve nga autoritetet maqedonase diçka e tillë nuk rezultoi e vërtetë. Leja për aktivitetin e lokalit kishte mbaruar që vitin e kaluar, por pronari me anë të korrupsionit duket se kishte siguruar një leje të falsifikuar, me ndihmën e një zyrtareje të shtetit.
Ishte ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski i cili deklaroi se Licenca për klubin e natës ku ndodhi tragjedia është marrë me anë të korrupsionit dhe se personat përgjegjës do të japin llogari para drejtësisë.
“Kjo licencë është e ndërlidhur me mit-marrje dhe korrupsion. Në këtë rast kanë emër dhe mbiemër ata që kanë dhënë këtë licencë dhe do të përgjigjen”, tha Toshkovski teksa shtoi se se është arrestuar ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Ekonomisë që dyshohet se ka firmosur lejen false.
Nga hetimet e kryer deri më tani, prokuroria maqedonase ka lëshuar urdhër arreste për 20 persona të dyshuar si përgjegjës për ngjarjen. Deri pasdite mësohet se ishin shoqëruar në polici 15 prej tyre.
Ndërkohë që kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski në një konferencë për mediat lidhur me tragjedinë e ndodhur në një diskotekë në Koçan, tha se autoritetet nuk do të kenë mëshirë për të vënë para përgjegjësisë të gjithë fajtorët e kësaj tragjedie.
“Nuk do kemi mëshirë. Do këtë përgjegjësi me emër e mbiemër. Me një operacion të institucioneve me precizitet kirurgjik dhe pa mëshirë”, tha kryeministri Mickovski, qeveria e të cilit ka shpallur 7 ditë zie për shkak të tragjedisë.
Duke marrë shkas nga kjo ngjarje autoritetet maqedonase kanë nisur një fushatë tre ditore nëpër të gjitha lokale, restorantet dhe hotelet e vendit për të verifikuar kushtet e sigurisë dhe për të zbuluar abuzimet me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më.
Vlen të theksohet se mbarë bota ka shprehur solidarizim ndaj familjarëve të viktimave të tragjedisë së Koçanit dhe shtet të shumta janë shprehur të gatshme për të ofruar ndihmë ndaj Maqedonisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje