Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Francën pasditen e sotme. Një shpërthim i fuqishëm në një ndërtesë banimi katërkatëshe në qytetin Trévoux, në departamentin Ain ka shkaktuar 6 viktima dhe 5 të plagosur.
Si pasojë e shpërthimit, të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe dy fëmijë të moshës tre dhe pesë vjeç, të cilët ndërruan jetë nga plagët e marra.
Autoritetet lokale njoftuan për 5 persona të plagosur, të cilët morën trajtim mjekësor në vendngjarje, pa dhënë detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Sipas gazetës “Le Progrès”, dy viktimat e fundit pësuan arrest kardiak pas shpërthimit.
"50 zjarrfikës dhe 36 automjete, si dhe personel mjekësor, janë mobilizuar për të ndihmuar viktimat", thanë autoritetet lokale.
Mediat lokale raportojnë se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një rrjedhje gazi. Incidenti ndodhi në katin përdhes të ndërtesës së banimit, në zonën e Beluizon.
Dy shkolla pranë vendit të ngjarjes kanë pësuar dëme materiale, kryesisht thyerje xhamash, por autoritetet konfirmojnë se nuk ka persona të lënduar. Banorëve u është kërkuar të shmangin lëvizjet në zonë deri në një njoftim të dytë.
Lini një Përgjigje