TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Dhjetor 2025, 17:47

Nga ferri i Holokaustit te terrori në Bondi: Vdekja heroike e Alex Kleytman që shkundi Australinë

Shkruar nga Pamfleti
Nga ferri i Holokaustit te terrori në Bondi: Vdekja heroike e Alex Kleytman
Alex dhe Larisa Kleytman /

Një histori mbi urrejtjen që mbijeton, edhe kur nuk duhet; rritja e antisemitizmit dhe sulmi që mori jetën e një mbijetuesi të kaluarës…

Australia po përballet me një tronditje të thellë kombëtare pas sulmit terrorist me armë në plazhin e famshëm të Bondi Beach në Sydney, ku u vranë të paktën 15–16 persona, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, gjatë një festimi publik të Hanukka-s, një nga festat më të ndritshme të kalendarit hebre. Ngjarja është përshkruar nga autoritetet si akt terrorizmi antisemit që goditi drejt komunitetin hebre të Australisë.  

Në mesin e të vrarëve ishte edhe Alex Kleytman, 87-vjeçar me origjinë ukrainase dhe i mbijetuar i Holokaustit, i cili humbi jetën teksa mbrojti bashkëshorten e tij Larisa nga rafalet e plumbave, një akt që tani po përshkruhet si heroik por tragjik.  

Kleytman nuk ishte vetëm një nga dëshmitarët e një prej kapitujve më të errët të shekullit XX; ai e kishte përjetuar atë tmerr në lëkurë dhe kishte ndërtuar një jetë të re në Australi së bashku me Larisan, me të cilën ishte martuar për dekada, duke krijuar një familje të madhe me dy fëmijë dhe 11 nipër e mbesa.  

Rritja e urrejtjes dhe antisemitizmit në Australi

Ky sulm terrori vjen në një kohë kur incidentet antisemitike në Australi kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. Vëzhgimet e organizatave të sigurisë dhe shoqatave hebraike tregojnë se krimet, kërcënimet dhe incidentet e urrejtjes ndaj hebrenjve janë trefishuar në periudhën e fundit, me sulme ndaj sinagogave, të vendbanimeve fetare dhe incidente të tjera të urrejtjes para dhunës së fundit me armë.

Ekspertët e sigurisë dhe komunitetit hebre australian e kanë cilësuar këtë si pjesë të një normalizimi shqetësues të antisemitizmit në shoqëri, një fenomen për të cilin ka folur edhe media ndërkombëtare si Time duke nënvizuar se dhuna e urrejtjes po ndikohet edhe nga retorikat konspirative dhe radikalizimi global.  

Reagime politike dhe ndikimi diplomatik

Reagimi politik ka qenë i menjëhershëm. Kryeministri australian Anthony Albanese e ka dënuar sulmin si “terrorizëm antisemit”, duke premtuar se qeveria do të forcojë ligjet ekzistuese të armëve dhe do të ndërmarrë masa të reja për të parandaluar urretjen dhe ekstremizmin.

Incidenti ka shkaktuar edhe tensione diplomatike, me figura ndërkombëtare që kritikojnë qeverinë australiane për mosveprim ndaj rritjes së antisemitizmit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi qeverinë e Albanese se politikat e saj mbi konfliktin Izrael–Palestinë kanë krijuar një atmosferë që inkurajon urrejtjen ndaj hebrenjve.

Gjithashtu, udhëheqës të Bashkimit Europian, Francës, Britanisë dhe të tjerë kanë shprehur ngushëllime të thella, duke theksuar domosdoshmërinë e betejës globale kundër antisemitizmit dhe urrejtjes në çdo formë.  

Pasojat për komunitetin dhe shoqërinë

Ngjarja në Bondi Beach jo vetëm që ka tronditur komunitetin hebre në Australi; që përbën rreth 117 mijë persona në një vend me rreth 28 milionë banorë, por ka ngritur edhe shqetësime të mëdha mbi sigurinë, kohezionin social dhe rolin e qeverive në parandalimin e urrejtjes sistemike.

Në këtë kontekst, vdekja e Alex Kleytman, një njeri që mbijetoi nën terrorin më të egër të shekullit XX, është një simbol tragjik i një urrejtjeje që vazhdon të gjejë mënyra për t’u shprehur edhe sot, në vendet demokratike. Akti i fundit; mbrojtja e gruas së tij, mbetet një dëshmi e fuqishme e humanizmit të përballur me çmendurinë e urrejtjes./Pamfleti

alex kleytman i mbijetuar i holokaustit

Lini një Përgjigje