Bllokimi nga Ukraina, i tubacionit që transporton naftë nga Rusia në Hungari, ka bërë që Kryeministri Viktor Orban dhe Presidenti Volodymyr Zelensky të përplasen me deklarata dhe kërcënime drejtuar njëri-tjetrit...
Tensionet mes Hungarisë dhe Ukrainës kanë arritur kulmin. Bllokimi nga Ukraina, i tubacionit që transporton naftë nga Rusia në Hungari, ka bërë që Kryeministri Viktor Orban dhe Presidenti Volodymyr Zelensky të përplasen me deklarata dhe kërcënime drejtuar njëri-tjetrit, pasi bllokimi nga Hungaria i ndihmës 90 mld euro të BE-së për Ukrainën nuk dha efekt.
Duke folur nga një forum i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Hungareze, Orban paralajmëroi se Hungaria do të përdorë forcën për të detyruar Ukrainën të rihapë tubacionin e naftës. Ai theksoi se kjo do të arrihet jo përmes negociatave, por me presion. Orban tha se Hungaria zotëron mjetet e nevojshme politike dhe financiare për të detyruar palën ukrainase të veprojë.
“Ne do të fitojmë dhe do të fitojmë me forcë. Ne kemi mjetet politike dhe financiare, dhe me këtë do t'i bëjmë presion që të rihapin tubacionin e Miqësisë pa kushte dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Dua ta bëj të qartë se ne do të fitojmë këtu dhe do të fitojmë me forcë. Nuk do të bëj asnjë pakt, nuk do të ketë kompromise, ne do t'i mposhtim ata. Ne do ta thyejmë bllokadën e naftës. Ne do t'i detyrojmë ukrainasit të rifillojnë furnizimet. Jo me marrëveshje, jo me marrëveshje, jo me kompromis, por me forcë”, deklaroi Orban.
Nga ana tjetër, reagimi i Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky ka qenë edhe më i fortë, duke kaluar në kërcënime të drejtpërdrejta ndaj Orbanit. Zelensky deklaroi se ndihma e Bashkimit Evropian, prej 90 miliardësh eurosh, nuk mund të bllokohet nga një individ i vetëm (Viktor Orban). Ai argumentoi se ato para janë të nevojshme për blerjen e avionëve luftarakë modernë dhe shtoi se shpresonte që Orbani të mos e pengojë këstin e parë.
Nga argumenti, Zelensky kaloi në kërcënime, duke thënë se nëse Orbani refuzon sërish, atëherë ai do t’i japë ushtrisë ukrainase adresën e tij, dhe më pas ata mund të flasin me gjuhën e tij.
Ky koment, i cili mund të interpretohet si një shaka e errët ose si një kërcënim i drejtpërdrejtë, pasqyron nivelin e lartë të frustrimit dhe urgjencës në Kiev. Bllokimi i ndihmës ushtarake konsiderohet një pengesë direkte për aftësinë mbrojtëse të vendit, dhe presioni mbi partnerët evropianë për të vepruar shpejt po arrin nivele të reja.
“Ju e dini që duhet të kemi një parapagim nga pala ukrainase në lidhje me aviacionin e ardhshëm, në lidhje me Gripen dhe Rafale. Unë dhe Mykhailo e diskutuam këtë dje. Shpresojmë që një person në Bashkimin Evropian të mos bllokojë 90 miliardë ose këstin e parë prej 90 miliardësh dhe ushtarët ukrainas do të kenë armë. Përndryshe, ne do t'ua japim adresën e këtij personi Forcave tona të Armatosura, djemve tanë, le ta telefonojnë dhe të komunikojnë me të në gjuhën e tyre”, deklaroi Zelensky./Pamfleti
Lini një Përgjigje