Ministria e Jashtme e Rusisë u ka bërë thirrje vendeve të huaja të shqyrtojnë largimin e diplomatëve të tyre nga Kievi në prag të 9 Majit, për shkak të rrezikut të përshkallëzimit ushtarak.
Sipas deklaratës së zëdhënëses së ministrisë, Maria Zakharova, Moska u ka dërguar një notë diplomatike misioneve të huaja, ku përmenden kërcënime të mundshme nga pala ukrainase dhe rreziku i një sulmi ndaj Moskës gjatë festimeve të Ditës së Fitores.
Në dokument thuhet se autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare duhet të tregojnë “kujdes maksimal” dhe të sigurojnë largimin në kohë të personelit diplomatik dhe qytetarëve nga Kievi, duke iu referuar mundësisë së një përshkallëzimi ushtarak dhe një reagimi nga forcat e armatosura ruse.
Zakharova deklaroi se qëndrimi i Moskës nuk është agresiv, por një reagim ndaj kërcënimeve që, sipas saj, vijnë nga Ukraina. Ajo kritikoi gjithashtu disa vende evropiane, duke i akuzuar se po mbështesin palën ukrainase.
Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar se gjatë festimeve në Moskë mund të ketë sulme me dronë.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se do të merren të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për aktivitetet e 9 Majit dhe paralajmëroi se çdo sulm do të pasohet me një përgjigje të fortë ushtarake.
Lini një Përgjigje